
TIRANË-Lëvizja 'Shqipëria Bëhet' dhe 'Nisma Thurje' kanë njoftuar sot zyrtarisht koalicionin e tyre për në zgjedhjet e 11 majit. Koalicioni do të quhet zyrtarisht “Nisma Shqipëria Bëhet”, ndërsa drejtues i saj do të jetë Adriatik Lapaj. Ky i fundit theksoi se emërimi i tij si drejtues do të jetë i një natyre formale, pasi koalicioni do të drejtohet nga një këshilli i anëtarëve përbërës të koalicionit.
Adriatik Lapaj: Koalicioni do të quhet "Nisma Shqipëria Bëhet". Unë kam kënaqësinë të nënshkruaj këtë marrëveshje bashkëpunimi me Nismën Thurje dhe me Lidhja për të Drejtat e Punëtorëve Shqiptarë, uroj që në këto 48 orë të shtohen edhe subjekte të tjera. Dua ti bëj thirrje çdo qytetari që të ndjekë zemrën e tij krah ndryshimit. Ky është koalicioni i drejtësisë, ne do ta mbështesim atë në të gjitha dimensionet. Është një koalicion që u jep shqiptarëve një mundësi për të zgjedhur një alternativë për ndryshimin e Shqipërisë. Nuk vëmë baste sa mandate do të marrim, sepse nuk blemë vota, ne marrëdhënien e kemi me qytetarët. Kemi thënë që s’ka bashkëpunim me asnjë prej subjekteve që kanë përfaqësuar rrënimin e Shqipërisë dhe do bëjmë çdo tentativë për të punuar me subjekte që nuk bartin mëkate të 34 viteve. Dua të theksoj se jemi në negociata dhe deri në fund të afatit koalicionit do t’i bashkohen edhe subjekte të tjera.
Prej ditësh, subjektet politike janë regjistruar në KQZ, ndërsa më 12 mars është afati i fundit për dërgimin e listave shumëemërore të deputetëve. Pas përfundimit të procedurave, në fillim të muajit prill do të hapet zyrtarisht edhe fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 11 maj./ZËRI