
TIRANË- Përplasje fizike kanë shënjuar procesin e numërimit në Kashar. Një prej vëzhguesëve të kandidatit për deputet në listën e hapur të Partisë Socialiste, Orlando Rakipi, Rei Nozlli ka goditur me grushta dhe shkelma sekretarin e Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve (KZAZ), Remzi Mehmeti. Sipas kandidatit të Partisë Demokratike për deputet, Grigels Muçollari, shkaku i konfliktit ka qenë një votë e pavlefshme, e cila ka nxitur debate mes përfaqësuesve politikë në qendër të numërimit.
I gjithë incidenti ka ndodhur në prani të komisionerëve dhe vëzhguesve të tjerë, duke krijuar tension dhe ndërprerje të menjëhershme të numërimit të votave. Pas ngjarjes, ai është shoqëruar në Komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për të sqaruar rrethanat e konfliktit.
Edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike për Tiranën, Belind Këlliçi ka folur për mediat lidhur me sherrin në një KZAZ në zonën e Kasharit, ku u dhunua me grushte sekretari Remzi Mehmeti. Sipas tij, Remzi Mehmeti ka shkuar në Polici për të bërë denoncimin, duke lajmëruar se shumë shpejt do të bëjë një kallëzim edhe në SPAK.
“Kanë dalë dhe pamjet, po bëjmë verifikimet. Remzi Mehmeti ka shkuar në polici për të bërë denoncimin, do bëjmë dhe kallëzim në SPAK, sepse ky është një krim zgjedhor i kryer dhe kapur flagrancë,”- tha Këlliçi.
MOMENTI I PËRPLASJES ME VIDEO:
View this post on Instagram
Pas ngjarjes, Nozlli është shoqëruar në Komisariat për t’u marrë në pyetje dhe për të sqaruar rrethanat e konfliktit, ndërkohë Policia po heton mbi shkaqet që çuan në përplasjen fizike.
Tiranë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:30, është kërkuar ndërhyrja e Policisë në KZAZ Nr. 30, në Yrshek, pasi gjatë procesit të numërimit, përfaques të subjekteve të ndryshme politike janë konfliktuar me njeri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar shtetasin R. N., 26 vjeç, i dyshuar i përfshirë në konflikt, për veprime të metejshme proceduriale. Në lidhje me pretendimin se në konflikt janë përfshirë dhe punonjës policie, sqarojmë se ky pretendim është i pavërtetë. Vijon puna për shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në konflikt dhe dokumentimin e plotë e rrethanave të konfliktit. Në këto kushte, numërimi është pezulluar përkohësisht. Në Qendrën e Numërimit, aktualisht ndodhen efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët po hetojnë.
Paralelisht, në KZAZ Kashar janë nxjerrë jashtë vëzhguesit, ndërkohë që brenda janë të pranishëm numëruesit. Vetë kryekomisionieri Ilirjan Celibashi ka shkuar vetë në terren dhe ka kërkuar revokimin e akreditimit të çdo vëzhguesi nga KZAZ në zonën e Kasharit.
MOMENTI ME VIDEO:
Ende nuk është vendosur se kur do të rinisë procesi i numërimit./ZËRI