TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike sapo ka votuar në zgjedhjet për kreun e PD, ku emri i tij është i vetmi në listë. Ai u shoqërua në qendrën e votimit në selinë blu nga bashkëshortja e tij, Lirie Berisha.
Pas votimit, ai përshëndeti të gjithë demokratët që kanë marrë pjesë në proces, duke e cilësuar atë si një “proces shembullor”, ndërsa ftoi të gjithë ata që ende nuk kanë votuar.
“Përshëndes të gjithë demokratët që kanë votuar deri tani në mbarë Shqipërinë, në një proces shembullor, në një proces në të cilin në mënyrën më demokratike, referendare shprehin vullnetin e tyre për kryetarin apo edhe kundër tij. Ftoj të gjithë ata që nuk kanë votuar, të përmbushin këtë detyrim të rëndësishëm statutor!”, ishte mesazhi i tij.
Më tej, u dha një përgjigje akuzave të hedhura nga demokrati Ervin Salianji. Sipas Berishës, në parti nuk ka vend për 'përfaqësues të botës së krimit'.
“Nuk mund ta përlyejnë këtë proces! Përfaqësues të botës së krimit nuk kanë dhe nuk do kenë kurrë vend në këtë parti. Ndarja jonë është për jetë e vdekje, zgjedhje përfundimtare e jona! Askush nuk mund të mendojë apo të konsiderojë fuqi në këtë parti, fuqi të krimit. Jo, zero!”, u shpreh Berisha./ZËRI