Politikë

Rama për Al Jazeera: Nuk po shesim Shqipërinë, projekti në Zvërnec është një bekim

Për Al Jazeera, Rama përsëriti se pavarësisht hipotezave që qarkullojnë, projekti me vlerë miliarda dollarë do të realizohet.

F.I
Rama për Al Jazeera: Nuk po shesim Shqipërinë, projekti në
Edi Rama

TIRANË- Protestat masive në Tiranë kundër ndërtimit të resortit luksoz në Zvërnec vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave ndërkombëtare, raportimet live nga vendet e huaja nuk munguan as në ditën e nëntë të tubimit. Përpos raportimeve për marshimet masive, përplasjet e ditëve të fundit dhe shqetësimet për transparencën dhe mjedisin, edhe kryeministri Edi Rama është prononcuar për mediat e huaja lidhur me projektin e që planifikohet për në Zvërnec.

Për Al Jazeera, Rama përsëriti se pavarësisht hipotezave që qarkullojnë, projekti me vlerë miliarda dollarë do të realizohet. Këtë projekt, kreu i qeverisë e cilësoi si një mundësi të rëndësishme investimi për vendin dhe hodhi poshtë akuzat se po shet pronë publike.

“Asnjëherë nuk ka qenë në diskutim nëse ky projekt do të realizohet apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend me një prodhim të brendshëm bruto prej rreth 27 miliardë eurosh flet vetë. Sa i përket projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe polemikë në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep duke e shitur vendin. Është pronë private. Është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, në të cilën qeveria shqiptare nuk ka asnjë rol”, deklaroi Rama për Al Jazeera, nga zyra e tij.

Lidhur me sitauatë në Shqipëri, raportime ka patur nga media të njohura ndërkombëtare si BBC, CNN, The Guardian, The New York Times, Reuters, France 24 e Politico. 

Sot shënohet dita e dhjetë e protestës, ku tubimet janë ndjekur edhe nga rrethet. Ndërkohë protestat kundër projektit në Zvërnec janë shtrirë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ku shqiptarët kanë protestuar në SHBA, Gjermani, Itali, Zvicër, Britani, Bruksel e Vjenë.

Qytetarët kanë paraqitur edhe 5 kërkesat e tyre ndaj qeverisë, ku kërkojnë: dorëheqjen e qeverisë, shfyqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor që lidhet me investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketë së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe anulimin e ndryshimin për trashëgiminë kulturore shqiptare.

Poll

MOS HUMB