Politikë

Rama njofton konfiskimin e një pallati në Vlorë: S’do ketë legalizime në shkelje

Kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se qeveria e tij nuk do të ketë më asnjë tolerancë ndaj ndërtuesve informalë.

k.m.
Rama njofton konfiskimin e një pallati në Vlorë: S’do
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar konfiskimin e një pallati në qytetin e Vlorës, si pjesë e operacionit kundër ndërtimeve pa leje dhe në kundërshtim me ligjin. Në takim me drejtuesit politikë të PS në Tiranë, drejtorët e bashkisë por edhe me deputetët e qarkut, kreu i qeverisë theksoi edhe njëherë se qeveria e tij nuk do të ketë më asnjë tolerancë ndaj ndërtuesve informalë.

"Kjo po bëhet edhe në zonën e bregdetit. Ka pasur një sërë goditesh edhe prishje ndërtimesh nga ato të të ashtuquajturëve oligarkë. Po ato nuk dalin në televizor se nuk i nxjerrin. Por ka pasur edhe gjoba shumë të rënda për shkelje të kantierëve. Sot do të bëhet një konfiskim të një gati pallati në ndërtim në qytetin e Vlorës që është në shkelje dhe ky proces synon të bashkojë dy gjëra dhe ne nuk kemi asnjë minutë për të humbur. Kemi marrë përsipër të mbyllim legalizimet brenda 2028, por ta harrojë kushdoqoftë që do legalizojë çfarëdo qoftë në shkelje të ligjit dhe pas afateve që ka ligji. Historia ndërto sot që të legalizosh nesër, nuk do të eci më. Të gjitha ngrehinat e ngritura për qëllim fitimi do të rafshohen, nuk do të ketë asnjë tolerancë asnjë ndalim më në këtë proces,”- tha Rama.

Ndërkohë që Rama lajmëroi aksionin që po zhvillohet në Vlorë, nga terreni dolën pamjet e forcave të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Terrenit që kanë mbërritur në zonë për të nisur nga puna. Por ende nuk dihet se kujt i përket objekti që po ngrihet shumë pranë zonës së Lungomares./ZËRI

Poll

MOS HUMB