
TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka nisur sot serinë e përgjigjes ndaj komenteve në rrjetet sociale, që do të zhvillohet me lidhje live çdo të martë dhe të enjte në orën 08:30. Kreu i qeverisë si fillim ka bërë thirrje për regjistrim për votën e diasporës dhe më pas ka vijuar me përgjigjet për komentuesit. I pari koment ka qenë ai lidhur me shtetin bektashi, ku Rama ka ndarë detaje se si do të funksionojë.
“Si do të copëtohet shteti shqiptar me kaq kollaj. Pse shteti italian i copëtuar të duket që ka jo një, por dy struktura brenda, të cilat kanë një sovranitet të caktuar aty. Ndërkohë që në rastin tonë nuk bëhet fjalë për të ndërtuar një shtet siç e mendoni ju gabimisht. Nuk bëhet fjalë për gjëra të kësaj natyre. Bëhet fjalë për entitet që nuk ka dogana, taksa, polici. Në të gjitha aspektet i përgjigjet Kushtetutës së Shqipërisë”, u shpreh Rama.
Qeveria shqiptare planifikon të ndërtojë në sipërfaqen prej 27 hektarësh, mikro-shtetin e quajtur "Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi”, i cili do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij. Kryeministri Edi Rama në një intervistë për 'The New York Times' më shtator të 2024, zbuloi planin se do t'u japë anëtarëve të Bektashinjve, enklavën e tyre të stilit të Vatikanit si një mënyrë për të promovuar tolerancën fetare. Rama tha se qëllimi i shtetit të ri ishte të promovonte një version tolerant të Islamit me të cilin krenohet Shqipëria.
Më pas Rama theksoi sot se pa vullnetin e Partisë Socialiste drejtësia nuk do të çlirohej nga kthetrat e pushtetit politik. Në lidhje me socialistët e hetuar apo arrestuar, ai tha se “si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe PS ka në këtë proces ka individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së PS”.
"Sa i përket drejtësisë mendoj se kam shumë për të thënë. Ka një diskutim që jo u fut ky në burg, jo u fut ai, jo po dënohet ky e ai, dhe këto faturohen si faje, apo si përgjegjësi apo e metë e PS-së. Por pa PS-në, pa vullnetin tonë kurrën e kurrës nuk do të ndodhte kjo që po ndodh që drejtësia të çlirohet nga kthetrat e pushtetit politik të pavarësisht nga pushteti politik dhe të veprojë pavarësisht se cilës anë i përket njëri apo tjetri. Nuk ka ndodhur në historinë e shtetit shqiptar që nga viti 2012 deri kur bëmë reformën në drejtësi që të ketë 1 të vetëm person të lidhur me pushtetin politik që të jetë vendosur para një drejtësie të pavarur. Fatos Nano u dënua nga një gjykatë politike, s’po flasim për këtë, por për institucione të pavarura. Kjo është një arritje historie e PS dhe as nuk duhet të diskutohet fare se këtu në Shqipëri ka vetëm një parti që po lufton për të bërë shtet. Si çdo pyll që ka derrat e vet, edhe PS ka në këtë proces njerëz individë që për fat të keq i përkasin drejtësisë dhe jo rrugës së PS. Por, sot ka më pak korrupsion sepse sot nëse do të kishte më shumë korrupsion nuk do ishim ulur në tryezën e negociatave të BE,"-u shpreh kryeministri.