TIRANË-Kryeministri Edi Rama, mblodhi sot ministrat dhe Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, në Pallatin e Kongreseve. Pas 4 orësh, ka përfunduar mbledhja që u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa burime pranë takimit kanë nxjerrë detajet dhe temat e diskutuara.
Sipas burimeve, në fokus të diskutimeve ishte procesi i integrimit europian të Shqipërisë, ku Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, si dhe Kryenegociatorja Majlinda Dhuka, paraqitën raportet mbi ecurinë e negociatave me Bashkimin Europian. Raportimi i tyre përqëndrohej kryesisht te Kapitulli 24: “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, i konsideruar si një ndër më të rëndësishmit në këtë proces.
Gjithashtu, gjatë mbledhjes u diskutua mbi progresin e arritur deri tani, sfidat që mbeten për t’u adresuar, si dhe masat konkrete që duhen ndërmarrë për përshpejtimin e reformave kyçe. Po sipas burimeve, bëhet me dije se është theksuar nevoja për rritjen e koordinimit mes institucioneve dhe përmbushjen në kohë të detyrimeve që rrjedhin nga negociatat.
Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, mediat raportojnë për një përplasje mes kryeministrit dhe njëherësh kryesocialistit, Edi Rama, me ish-ministren e Jashtme, Elisa Spiropali. Mësohet se Rama i ka vënë ultimatum Spiropalit sa i pëket reagimeve të saj përmes postimeve në rrjete sociale, ku ka kritikuar qeverinë dhe PS-së. Madje, Rama e ka paralajmëruar për përjashtim nëse nuk heq dorë nga postimet.
“Te puna e partisë nuk mund të bëni drama, dhe për këtë po i drejtohem ty, Elisa. O me ne, o përballë nesh, merr frymë thellë dhe kupto atë që ke bërë.", mësohet se ka thënë Rama.
“Ke postuar 2 herë në rrjete sociale, herën e 3-të do të përjashtohesh...Unë po bëj replikë për çfarë ke shkruar ti. Je akoma këtu sepse nuk dua që PS të humbasë investimin që ka bërë”, ka thënë Rama sipas burimeve.
Në fund, kryeministri i ka numëruar qëndrimet e saj, kur Spiropali, dukshëm ka drejtuar kritika ndaj PS-së.
“Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e 3-të del nga Grupi”, është shprehur Rama.
Gjatë fjalës së tij para deputetëve, ai përmendi Erion Braçen, duke sjellë në vëmendje një episod që, sipas tij, ia kishte rrëfyer gazetarja Jonida Shehu. Kjo e fundit, sipas Ramës, i kishte thënë se një deputet kishte refuzuar të dilte në media me fjalinë: “Pse si Erjon Braçe do bëhemi ne?”
“Ta keni për nder të merrni modelin e atij. Ama si ai nuk bëheni dot. Nuk ka të dytë dhe nuk durohen dy”, është shprehur Rama.
Një koment, që sipas burimeve, në mbledhje është interpretuar si një sinjal relaksi në raport me deputetin socialist, ndryshe nga përplasja e mëparshme që ai pati me Elisa Spiropalin.
Ndërkohë, në nisje të takimit ish-ministrja dhe deputetja Elisa Spiropali është parë teksa ka mbërritur në Pallatin e Brigadave me taksi.
Mbledhja e socialistëve vjen në një kohë, ku qeveria ka dorëzuar në Kuvend një raport të detajuar sa i përket negocimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në raport, evidentohen progrese në fusha që shërbejnë si pjesë e përmbushjes së standardeve të kërkuara në procesin e negociatave me BE.
Gjithashtu, nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama ka theksuar se Shqipëria deri në fundin e vitit 2027 do të mbyllë negociatat me BE. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria do të jetë anëtare e Bashkimit Europian në vitin 2030./ZËRI