TIRANË- Për herë të parë në histori, që nga koha e krijimit të shtetit të parë shqiptar, Tirana, mund të drejtohet nga një grua. Ajo që njihet si 1/3 e Shqipërisë, bashkia më e madhe e vendit, do të ketë si kandidate Ogerta Manastirliun nga Partia Socialiste, e cila nëse zgjidhet do të rikthehet në bashki atje ku ka punuar që prej kohës kur Edi Rama ishte kryebashkiak. Ndërkohë që brenda 7 ditësh, Këshilli duhet ti hapë rrugë zgjedhjeve, topi ka kaluar në portën blu, atje ku Sali Berisha me të tijët duhet të zgjedhin kandidatin potencial. Sali Berisha u shpreh sot se Ilir Alimehmeti është një kandidat i mundshëm por tha se emri do të dalë pas konsultimeve.
Por kush janë emrat më të mundshëm për Tiranën dhe a do të guxojë PD me një grua?
Burime nga kampi blu i thanë ZËRI se interesimi i grave demokrate për të garuar për bashkinë është i lartë. Që kur kundërshtarët guxuan me një grua, zërat pranë Berishës për një zgjedhje të guximshme janë shtuar.
Kështu, Jorida Tabaku dhe Adriana Kalaja, duken dy gratë më ambicioze për të garuar përballë Manastirliut ndërsa Ilir Alimehmeti nëse garon do të vazhdojë procesin atje ku e la në 2023, kur ia kaloi stafetën Belind Këlliçit i cili humbi përballë Veliajt. Çfarë do të vendosë Berisha me të tijët? Na duhet të presim edhe pak…/ZËRI