Politikë

PS ‘nuk lëshon pe’ për Belinda Ballukun, deputetët e PD mblidhen të vetëm në Këshillin e Mandateve

Gazment Bardhi pasi mbajti një fjalë për mediat, kërkoi që mbledhja e radhës të mbahet ditën e premte, edhe pse socialistët me në krye Edi Ramën, kanë deklaruar se nuk do të votojnë për heqjen e imunitetit të Ballukut, pa u shprehur më parë Gjykata Kushtetuese

E.K
PS ‘nuk lëshon pe’ për Belinda Ballukun, deputetët e
gazment bardhi

TIRANË- 5 deputetët e Partisë Demokratike janë mbledhur në Këshillin e Mandateve, ku kërkojnë pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku. Edhe pse socialistët mungojnë në këtë mbledhje, njësoj si dhe prokurorët e çështjes, PD kërkon që heqja e imunitetit të Ballukut të bëhet pa vonesa, për shkak se ajo mund të ndikojë në prishjen e provave dhe të intimidojë dëshmitarët.

Nga ana tjetër, socialistët, me vendim të kryeministrit Edi Rama, nuk do të jenë pjesë e kësaj mbledhjeje, dhe nuk do të kalojnë për votim kërkesën e SPAK, derisa Gjykata Kushtetuese të shprehet për pezullimin e saj. Bardhi tha në nisje të mbledhjes, se Gjykata Kushtetuese nuk ka si objekt heqjen e imunitetit të Ballukut, por pezullimin e saj. Sipas tij, Kuvendi po pengon drejtësinë, në mënyrë që Balluku të ketë mundësinë për të fshehur provat.

“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer ky kuvend gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mbledhë Këshillin e Mandateve.

Unë për herë të parë dua tju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bëjnë të ngutshme mbledhjen. Balluku që ka interes për të zvarritur cështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 mld eurove.

SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartësja të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku. Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqit rrezik real. Ekziston mundësia që ajo të asgjesojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”, tha Bardhi gjatë fjalës së tij.

Socialisti Ulsi Manja si anëtar i këtij këshilli tha më herët gjatë ditës së sotme, se ka angazhime të tjera, takime me elektoratin.

“Sekretariati e mbaroi mbledhjen për sot, ndërsa unë si anëtari i këshillit të mandateve kam angazhime të tjerë me elektoratin”, iu përgjigj Ulsi Manja gazetarëve.

Gjatë ditës së djeshme 5 anëtarët e PD në Këshillin e Imunitetit kanë kërkuar që të martën (sot), ora 11.00, të mblidhet Këshilli për Imunitetin për të shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për heqjen e imunitetit të Zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kërkesa e PD

“Sot, ne 5 anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin e Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve, i kemi dërguar një kërkesë urgjente Kryetarit të Kuvendit për të mbledhur Këshillin e Mandateve nesër në orën 11:00, për të vijuar shqyrtimin e kërkesës së SPAK-ut, me anë të së cilës kërkohet autorizimi për arrestimin apo heqjen e lirisë ndaj zëvendëskryeministres, ministres dhe deputetes Belinda Balluku.

Edi Rama dje njoftoi se do të vijonte bllokimin e drejtësisë dhe pengimin e saj deri në muajin shkurt, kur Gjykata Kushtetuese të shprehet përfundimisht mbi një kërkesë të tij për masën e parë ndaluese të marrë nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme ndaj Belinda Ballukut.

Në fakt, kërkesa e sjellë në Kuvend nga Prokuroria dhe çështja që po trajtohet në Gjykatën Kushtetuese nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën. Gjatë kohës kur Rama iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, për shkak se Prokuroria kishte marrë masën ndaluese për ushtrimin e funksionit për zonjën Balluku, ajo akuzohej për dy krime, me një vlerë dëmi prej 2010 milionë euro, dhe dosja e saj ishte kjo.

Sot që kërkesa e Prokurorisë ka ardhur në Kuvend për përshkallëzimin e masës ndaluese ndaj zonjës Balluku, pra për masë arresti apo heqje të lirisë, ajo akuzohet për plot 11 krime, me një vlerë dëmi prej 1.1 miliardë euro. Dhe dosja e saj është kjo, së bashku me provat që Prokuroria i ka sjellë në këtë USB Kuvendit.

Ndaj, thirrja ime sot shkon për Kryetarin e Kuvendit që të mos pengojë drejtësinë, të mos bëhet vegël e interesave personale apo e frikës që ndjen Edi Rama nga hetimi i plotë, i shpejtë dhe i pa ndikuar i Prokurorisë në rastet korruptive të Belinda Ballukut.

Tashmë i madh e i vogël e dinë që Edi Rama nuk po e pengon drejtësinë për shkak të Belinda Ballukut, por po e pengon drejtësinë për shkak të frikës së tij dhe sepse është i ndërgjegjshëm se urdhëruesi i çdo afere korruptive të kryer nga Belinda Balluku është vetë Edi Rama.”

Në kërkesën e 5 anëtarëve të PD drejtuar Kryetarit të Kuvendit thuhet se:

“Në mbështetje të nenit 13, pika 6, dhe nenit 118 të Rregullores së Kuvendit, Ne, 1/2 e anëtarëve të Këshillit:

– Duke e konsideruar periudhën më shumë se 3 ditore si të mjaftueshme për palët që të njihen me aktet dhe të përgatiten për praqitjen e agumenteve/mbrojtjen, bazuar edhe në precedentin parlamentar të dy rasteve të fundit të marra në shqyrtim nga Këshilli, ku afati në dispozicion të palëve ka qenë 48-72 orë;

– Duke mbajtur në konsideratë shënimin e Prokurorisë së Posacme në kërkesë dhe gjatë mbledhjes së datës 19 Dhjetor 2025, ku nënvizohet se znj. Belinda Balluku është konstatuar me metoda speciale hetimi se po intimidon dëshmitarë/prish prova;

– Duke mbajtur në konsideratë kërkesën e Prokurorisë së Posacme që cështja të shqyrtohet nga Këshilli brenda 3-5 ditë nga mbledhja e datës 19 Dhjetor 2025, për shkak të natyrës së ngutshme që ka kërkesa dhe nevojës për moscenimin e hetimeve;

– Me qëllim që Këshilli dhe Kuvendi të mos bëhen pengesë për drejtësinë dhe për hetimin e cështjeve nga Prokuroria e Posacme;

Kërkojmë:

1. Mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ditën e martë, datë 23 Dhjetor 2025, ora 11.00, me Rend Dite: “Vijimi i shqyrtimit të kërkesës nr. 13019 Prot., datë 16.12.2025, me anë të së cilës Prokuroria e Posacme ka kërkuar dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit – Zëvendëskryeministrit – Ministrit, znj. Belinda Balluku.”.

Deputetët e PD theksojnë se: “thirrja e mbledhjes së Këshillit me kërkesë të 1/2 së anëtarëve është e detyrueshme sipas Rregullores, sepse Këshilli thirret në dy forma sipas pikës 6, të nenit 13 të Rregullores së Kuvendit: (1) me kërkesë të Kryetarit të Kuvendit; (2) me kërkesë të 1/2 së anëtarëve të Këshillit. Nëse thirret nga 1/2 e anëtarëve të Këshillit, Kryetari i Kuvendit ka detyrimin të njoftojë Rendin e Ditës për anëtarët e tjerë dhe palët që mund të jenë thirrur në proces. Për këtë arsye, përmbushni detyrimin tuaj ligjor dhe mos u bëni pengesë për drejtësinë.”.

Në mbledhjes e të premtes, datë 19 dhjetor, Këshilli nuk doli me një datë tjetër për mbledhjen e radhës. Opozita kërkoi që seanca e radhës të mbahet të hënën, ndërsa mazhoranca këroi të mblidhet Këshilli më 19 janar. Avokati i Ballukut kërkoi 3 javë kohë, për t’u njohur me provat e SPAK. Nga ana tjetër, prokurorët e posaçëm deklaruan në mbledhje se do ishte e mjaftueshme deri në 5 ditë. Me kërkesë të demokratëve, Këshilli vendosi që anëtarët të marrin me vete USB-në me 10 mijë faqe me prova për dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku. Kuvendi ka një afat kohor 3 muaj për të vendosur mbi kërkesën e SPAK dhe autorizimin. Por në rast se Kuvendi nuk e shqyrton kërkesën në harkun kohor të 3 muajve, atëherë kërkesa e SPAK konsiderohet e rrëzuar./ZËRI

Poll

MOS HUMB