
TIRANË- Edhe pse në burg, presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ndjekur protestën e sotme të opozitës. Menjëherë pas përfundimit të tubimit ka bërë një reagim përmes faqes së tij në Facebook. Në reagimin, që me shumë gjasa ia kanë bërë bashkëpunëtorët e tij, Meta ka bërë edhe një falenderim për të gjithë pjesëmarrësit.
“Falenderim dhe mirënjohje të përzemërt për qindra mijëra shqiptarë patriotë në mbarë vendin që u ngritën në këmbë me guxim dhe me ndjenjë të fortë patriotike e kombëtare, në përballje pa kthim me Narkoshtetin për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Nuk ka forcë në botë të ndalë Uraganin e Lirisë,”- shkruan Ilir Meta.
Protesta e fundit e opozitës u mbajt më 7 Tetor pas burgosjes së ish-deputetit të PD, Ervin Salianji. Ndërsa protesta e sotme u njoftua menjëherë pas arrestimit të kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta./ZËRI