TIRANË-Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin "Për ndihmën juridike të garantuar nga shteti", me synimin për të zgjeruar aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe për të lehtësuar procedurat për përfitimin e ndihmës juridike falas. Në projektligjin e tretë që Ministria e Drejtësisë ka nxjerrë për konsultim publik parashikohet zgjerimi i kategorive përfituese, procedura më të shpejta për rastet urgjente, si dhe mbulimin e një pjese më të madhe të shpenzimeve që lidhen me proceset gjyqësore dhe ekzekutimin e vendimeve.

Projektligji shton edhe viktimat e formave të ndryshme të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, viktimat e terrorizmit, personat që kërkojnë njohjen e statusit të aftësisë së kufizuar, përfituesit e ndihmës ekonomike, pensionit social dhe skemave të tjera të mbrojtjes sociale, anëtarët e komuniteteve rom dhe egjiptian për çështje që lidhen me dokumentacionin dhe regjistrimin civil si dhe sinjalizuesit që raportojnë shkelje të së drejtës së Bashkimit Evropian.
Ndryshe nga sistemi aktual, projektligji parashikon që qytetarët që përfitojnë ndihmë juridike dytësore të kenë të drejtë të zgjedhin vetë avokatin nga lista e avokatëve të autorizuar.
Paketa parashikon gjithashtu lehtësimin e procedurave për marrjen e ndihmës juridike. Për shërbimin parësor do të mjaftojë vetëdeklarimi dhe dokumenti i identitetit, ndërsa dokumentacioni shtesë do të kërkohet vetëm në rastet kur ka dyshime për vërtetësinë e deklarimeve.