TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, në një kohë kur protestat vijojnë prej 8 ditësh. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, Rama mësohet se u ka kërkuar deputetëve të shtojnë praninë në terren dhe të komunikojnë më shumë me qytetarët. Mësohet se Rama është shprehur se mungesa e tyre në publik ka krijuar perceptimin se po fshihen nga protestat.
“Populli ju kërkon te ‘Pasqyra’, atje ka heshtje. Heshtja po krijon konspiracionin se deputetët janë fshehur. Po çfarë më merreni me politikë në këto ditë? Rrisni praninë në terren, flisni me njerëzit dhe rrisni praninë në mediat sociale", mësohet të jetë shprehur Rama.
Gjithashtu, mësohet se Rama ka theksuar edhe një herë rëndësinë e unitetit brenda partisë, duke u shprehur: “Duhet të jemi të bashkuar me trëndafilin si përherë”.
Mbledhja e Grupit të PS-së vjen në ditën e 8 të protestave studentore, të cilat janë shoqëruar me tensione, dhunë dhe incidente. Në ditën e 8-të, protestës i janë bashkuar edhe pedagogët, të cilët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama nga detyra dhe krijimi i një qeverie teknike. Ndërkohë, nga ana tjetër, Rama kë përsëritur thirrjen e tij për dialog, duke vendosur edhe disa karrige përpara Kryeministrisë. /ZËRI