Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sulmin ndaj gazetarëve në protestën e PD

TIRANË-Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë ka dënuar sjelljen e demokratëve drejtuar gazetarëve në protestën e Partisë Demokratike të zhvilluar sot në Tiranë. AEJ shprehet se gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias.
REAGIMI:
Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë dënon sjelljen agresive dhe deklaratat e deputetëve të Partisë Demokratike nga Edi Paloka, Klevis Balliu ndaj gazetares Sara Demushi së Euronews dhe kameramanit, por edhe gazetarëve të tjerë, në protestën e sotme në Tiranë. Gjuha kërcënuese dhe intimidimi fizik ndaj gazetareve dhe punonjësve të medias janë të papranueshme dhe një kërcenim i drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias. Tentativa për ti larguar është e papranueshme dhe cenon rëndë lirinë e medias. Është e rrezikshme për standardet e një vendi që një parti politike të shantazhojë dhe kërcënojë gazetarët. Një parti politike nuk mund të largojë mediet nga një aktivitet publik dhe nuk mund të përpiqet të ndalojë ato të ushtrojnë misionin e tyre.
Në një deklaratë për mediat edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënoi gjuhën e deputetëve të Partisë Demokratike dhe opozitës ndaj gazetarëve.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e konsideron të papranueshme gjuhën e disa prej drejtuesve të partisë kryesore të opozitës ndaj gazetarëve në protestën kundër procesit zgjedhor të 11 majit, të zhvilluar në Bulevardin Zog i I në Tiranë. Reporterët dhe operatorët e mediave u janë drejtuar krerëve të protestës opozitare me pyetje dhe si përgjigje, prej tyre dhe mbështetësve të pranishëm, kanë marrë reagime dhe etiketime të palejueshme. Tendenca për të politizuar pyetjet apo këmbënguljen e gazetarëve për shkak të pyetjeve të tyre, është e gabuar dhe na kthen në fillimet e pluralizmit politik shqiptar dhe në mendësitë e kulturës së munguar të diversitetit demokratik.
Po ashtu ka reaguar dhe sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM)
“Dënojmë ashpër sulmet ndaj gazetarëve gjatë protestës së opozitës. Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias shpreh indinjatën dhe shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe sulmet e papranueshme të ndodhura ditën e sotme ndaj gazetarëve, gjatë raportimit të protestës së organizuar nga opozita. Sulme të tilla përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias, të drejtës për informim të paanshëm, dhe vetë lirisë së shprehjes në një shoqëri demokratike. Gazetarët, në ushtrimin e misionit të tyre informues, përfaqësojnë një funksion publik në shërbim të qytetarëve. Çdo akt që synon të intimidojë apo dhunojë ata, është një shkelje e rëndë ndaj demokracisë dhe duhet të dënohet pa ekuivok. I bëjmë thirrje përfaqësuesve të Partisë Demokratike të distancohen publikisht nga çdo akt dhune apo gjuhë nxitëse ndaj punonjësve të medias, si dhe të mbajnë një qasje etike dhe të përgjegjshme në komunikimin me gazetarët. Diskursi politik nuk mund dhe nuk duhet të drejtohet ndaj mediave të lira. Liria e shtypit është një vlerë themelore që duhet mbrojtur dhe respektuar nga të gjitha palët, pa përjashtim”, lexohet në deklaratën e sindikatës së Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias.
Konkretisht deputeti Flamur Noka dhe disa mbështetës pranë tij, janë kapur me gazetarin e TopChannel, duke i kërkuar të largohet, ku ofendimet ndaj tij nuk kanë munguar. Gazetari Bekim Bici, teksa po raportonte mes protestuesve, ai është shtyrë dhe i kanë vendosur pankartat para fytyrës duke ia vështirësuar punën. Po ashtu edhe deputeti Edi Paloka dhe mbështetësit e tij kanë fyer gazetaren e Euronews, Sara Demushi. Paloka nuk e ka lejuar të raportojë, duke i kërkuar të ikë dhe të mos transmetojë. Edhe Klevis Balliu ka akuzuar gazetarët që po mbulojnë protestën e Partisë Demokratike se “kanë prekur protestuesit”, gjatë tubimit te bulevardi “Zogu I”./ZËRI
VIDEO- Protesta e PD/ Noka, Balliu e Paloka sulmojnë gazetarët: Largohuni...

TIRANË- Protesta e opozitës mbajtur njëkohësisht me Samitin e Komunitetit Politik Evropian, nuk ka kaluar pa incidente, por këtë herë deputetët e PD janë përplasur me gazetarët.
Konkretisht deputeti Flamur Noka dhe disa mbështetës pranë tij, janë kapur me gazetarin e TopChannel, duke i kërkuar të largohet, ku ofendimet ndaj tij nuk kanë munguar. Gazetari Bekim Bici, teksa po raportonte mes protestuesve, ai është shtyrë dhe i kanë vendosur pankartat para fytyrës duke ia vështirësuar punën.
Po ashtu edhe deputeti Edi Paloka dhe mbështetësit e tij kanë fyer gazetaren e Euronews, Sara Demushi. Paloka nuk e ka lejuar të raportojë, duke i kërkuar të ikë dhe të mos transmetojë.
Paloka: Ke yllin e Edi Ramës.
Gazetarja: Jo nuk është ylli i Edi Ramës, është badge....
Edhe Klevis Balliu ka akuzuar gazetarët që po mbulojnë protestën e Partisë Demokratike se “kanë prekur protestuesit”, gjatë tubimit te bulevardi “Zogu I”. Me tone të larta, Balliu është përfshirë në një debat me një prej gazetareve si dhe me disa kameramanë që ndodheshin aty pranë./ZËRI
Nga Brukseli, Berisha mbërrin në protestë: Zgjedhjet e 11 Majit njihen si farsë

TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i bashkohet protestuesve te bulevardi "Zogu i Parë". Në fjalën e tij të shkurtër Berisha u shpreh edhe një herë se zgjedhjet e 11 majit ishin një farsë elektorale. Më tej shtoi se kryeministri Edi Rama nuk ka të ardhme. Sipas tij, qytetarët duhet të zhvillojnë një betejë për garantimin e votës së lirë.
Fjala e Sali Berishës:
Të dashur qytetarë dhe qytetare, zgjedhjet e 11 Majit ishin botërisht të njohura si farsë elektorale dhe para se të zhvilloheshin. Si farsë elektorale ato i sanksiononte rezoluta e dhjetorit të Bashkimit Demokrat Ndërkombëtar. Rezoluta e tetorit e Internacionales së Qendrës Demokratike. I sanksiononte rezoluta e nëntorit e Partisë Popullore Europiane. Dhe në mënyrë përfundimtare i groposte rezoluta e Valencias që u mbajt një javë para zgjedhjeve. Edi Rama nuk bëri gjë tjetër veçse dëshmoi se është një kriminel, një monstër ndaj vullnetit të lirë të shqiptarëve dhe unë u garantoj se çdo ditë në këtë betejë, ne do arrijmë qëllimet tona. Kjo betejë kërkon angazhimin e të gjithë ne, të gjithë shiqptarëve, por u siguroj se kjo betejë do zhvillohet në çdo zyrë të rëndësishme, në çdo parlament, në çdo qeveri të vendeve të lira në Europë dhe në botë.
Kjo betejë do fitohet nga luftëtarët e lirisë, nga luftëtarët e votës së lirë. Ndaj dhe të vazhdojmë me përkushtim. Edi Rama nuk ka të ardhme. Do përfundojë aty ku kanë përfituar armiqtë e lirisë së kombeve, armiqtë e votës së lirë. Ishte jashtëzakonisht koincidencë pozitive ky takim ndërkombëtar i liderëve europianë. Dhe Edi Rama i priti ata si një hajdut, si një plaçkitës, i priti si El Çapo, i priti si Toto Rino, i priti ashtu siç është, i aftë për të shkelmuar çdo ligj, çdo parim për të qëndruar në pushtet vetëm se e di se vendin e ka në burg dhe u garantoj se atje do të shkojë. Duhet të përshëndes mediat ndërkombëtare që e dhanë që dje lajmin për protestën e opozitës për shkak të vjedhjes së votës. Pra, kemi aleatë të shumtë në këtë betejë dhe do jenë gjithnjë e më të shumtë. Të dashur miq, masakra zgjedhore e 11 Majit shënon masakrën më të turpshme ndaj votës së lirë në historinë e Europës. Shënon dëshminë më flagrante të Edi Ramës, të qëndrimit të tij armiqësor, të rikthimit të tij në genin e etërve mizore. Por gjithashtu është një apel, një thirrje për të gjithë shqiptarët që të mos pajtohemi dhe të bëjmë çdo sakrificë, çdo betejë që qytetarët shqiptarë të votojnë të lirë. Të ngrihemi mbi terroristët elektoralë, mbi bandat. Të ngrihemi mbi ata punonjës dhe nëpunës, të cilët shndërrohen për shkak të vjedhjeve që kanë bërë në armiq të njerëzve të lirë. Kanë vendosur një zonë sigurie ndaj protestuesve paqësorë. Por mos mendoni se këto lajme nuk do shkojnë në të gjitha kancelaritë e Europës dhe botës. Zëri ynë, zëri juaj, zëri i shqiptarëve që luftojnë për votën e lirë, do dëgjohet dhe do ushtojë fuqishëm në Europë dhe botë.
VIDEO/ Pa ujë dhe pa asistencë, nëna me 8 fëmijë i bashkohet protestës së PD, demokratëve u dhurojnë trëndafila blu

TIRANË- Protestës së Partisë Demokratike i është bashkuar edhe një nënë bashkë me tëtë fëmijët e saj. Një burrë, që u identifikua si Fredi, tregoi se zonjën në fjalë bashkë me fëmijët, shteti shqiptar i ka lënë pa asistencë dhe pa ujë të pijshëm.
Të tetë fëmijët mbanin në duar një trëndafil blu, të cilët ua dhuruan demokratëve.
Partia Demokratike ka protestuar sot, paralelisht me Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Tubimi u njoftua vetëm pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit nga lideri i opozitës, Sali Berisha, që i konsideron masakër zgjedhore. Qytetarët me dy gishtat lart dhe me thirrjet “Edi Rama o hajdut, votat tona ku i ke fut”, kërkuan llogari nga qeveria për zgjedhjet.
VIDEO-SKANDALI me Gjicin, Alma Kaçi i bashkohet protestës së Opozitës

TIRANË- Alma Kaçi, e reja që u pjesë e skandalit seksual, pas publikimit të videos s ëish-kryebashkiakut të Kukësit, Safet Gjici, i është bashkuar protestës së Partisë Demokratike. Kaçi është parë në turmën e demokratëve që po protestojnë për 11 majin, që e kanë konsideruar masakër zgjedhore.
Skandali u piblikua dy vite më parë. Safet Gjici ndodhet ende në burg, ndërsa Alma Kaçi, e cila edhe filmoi aktin seksual në zyrën e Gjicit është dënuar me 1 vit burg, pasi është shpallur fajtore për akuzën e prostitucionit.
Noka prin protestën, 'sherr' me gazetarët: Jeni fajtorë! Këlliçi: Rama s'do ta gëzojë mandatin

TIRANË-Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka ishte i pranishëm në protestën e mbajtur nga opozita këtë të premte, për mbrojtjen e votës së lirë. Gjatë fjalës së tij Noka tha se zgjedhjet e mbajtura më 11 maj janë vjedhur e për këtë vjedhje sipas tij janë përdorur administrata dhe bandat kriminale.
“Përdorimi i administratës dhe bandave kriminale, ishin faktori që ndikuan në tjetërsimin e votës shqiptare. A mund të pranohet kjo? Kurrën e kurrës! Partia Demokratike dhe opozita është përfaqësuesja e vullnetit të shqiptarëve. Faktori ndërkombëtar e vuri gishtin mbi plagë. Pensionistëve ju ble vota me 100 euro. Statuti është zbatuar dhe do të zbatohet nga Partia Demokratike me përpikmërinë më të madhe. Në momentin që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira, çdokush brenda nesh do të mbajë përgjegjësi. Një nga faktorët e masakrës zgjedhore jeni edhe ju (drejtuar gazetarëve) me dezinformimin që keni bërë"-, tha Noka.
Ndërkohë, drejtuesi politik i PD në Qarkun e Tiranës, Belind Këlliçi tha në një prononcim për mediat se kryeministri Edi Rama nuk do ta gëzojë mandatin që sipas tij e ka vjedhur. Ai tha se PD ka prova për manipulimin e zgjedhjeve dhe për këtë do të solidarizojnë çdo shqiptar për këtë situatë.
“Rama nuk do ta gëzojë mandatin e vjedhur. Partia Demokratike ka prova për manipulimin e zgjedhjeve. Ne do të solidarizojmë cilido shqiptar për vjedhjen e zgjedhjeve në 11 maj. Ky është një problem i shqiptarëve dhe mund të them se këtu kanë vdekur institucionet zgjedhore dhe zgjedhjet e lira. Ne nuk do të tërhiqemi nga kjo betejë pasi është një betejë jetë a vdekje. Rama i zhyti duart aq thellë sa mori atë rezultat.” tha Këlliçi.
Do të ‘sakrifikohet’ për të futur Metën në Kuvend? Blushi: Këto pyetje bëjuani atyre që kanë punuar kundër tij

TIRANË- Kandidati në listën e mbyllur të koalicionit Partia Demokratike Aleanca për Shqipërinë Madhështore, Tedi Blushi nuk është përgjigjur kur është pyetur nëse do të ‘sakrifikohej’ për t’i liruar vendin kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Blushi ndodhej në protestë kur u pyet për këtë gjë, por tha se çdo përgjigje do të jepet në kohën e duhur.
"Nuk kam asnjë koment tjetër vecse të respektojmë këtë protestë për lirinë e votës. Nuk kam punuar kundër Ilir Metës, duhet t’ia bëni të gjithë atyre që kanë punuar ditë e natë kundër Ilir metës. Ju e dini se kush fshihet mbrapa, në kohën e duhur do i keni këto përgjigje. Nuk jemi mbledhur sot për këtë çështje, por për lirinë e votës,"- tha Blushi.
Meta aktualisht ndodhet në burg, por kandidoi në listën e hapur të koalicionit PD-ASHM. Me votat që mori, Meta mbeti jashtë Parlamentit.
Liderët e BE-së në Tiranë/ PD nis protestën: Duam votat tona, janë vjedhur

TIRANË-Pesë ditë pas zgjedhjeve të 11 majit, ku Partia Demokratike pësoi një humbje të thellë, simpatizantë dhe mbështetës demokratë janë grumbulluar në bulevardin “Zogu i Parë”. Protesta po zhvillohet rreth 700 metër larg Sheshit Skënderbej, ku po mbahet samiti i liderëve evropiane. Tubimi ka si qëllim, sipas opozitës, votën e lirë.
Deri tani protesta ka nisur me nota të qeta, nën “moton”: 'Poshtë diktatura', 'Duam votat tona'.
Gjithashtu një grup protestuesish bënë thirrje: E duam Shqipërinë me Sali Berishën.
“Janë vjedhur zgjedhjet. Unë kam sa të duash njerëz që donin të vinin me mua këtu sot dhe nuk kanë ardhur se thoshin, por të më shikojnë mua në protestë më vijnë te dyqani, më ndalojnë me makinë. Është turp ta diskutosh këtë, por ky ka kaluar në regjim”, tha një qytetar.
Policia nuk e ka lejuar zhvillimin e kësaj protestë brenda perimetrit të sigurisë së vendosur për mbarëvajtjen e Samitit, ndaj protesta po mbahet në kryqëzimin pranë Ministrisë së Drejtësisë. Përfaqësues të PD, si Flamur Noka, Jorida Tabuku, Eno Bozdo e të tjerë janë mbledhur në afërsi të bulevardit 'Zogu i Parë'. Kjo protestë vjen pas rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit teksa opozita akuzon qeverinë se ka manipuluar dhe vjedhur votat e shqiptarëve./ZËRI