TIRANË- Kryeministri Edi Rama, nga qyteti i Beratit, ka takuar përfaqësuesit e teknologjisë për të diskutuar lidhur me ecurinë e start up-eve dhe bashkëpunimin që mund të kenë me qeverinë për të ndaluar sulmet kibernetike. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë u kërkoi përfaqësuesve të teknologjisë që të flasin hapur dhe të japin idetë e tyre të cilat do të ndihmojnë qeverinë që të fitojë sa më tepër pikë përballë “hakerave”.
Me nota humori, kreu i qeverisë iu drejtua ekspertëve duke u thënë se mund të hakmerren ndaj qeverisë duke e sulmuar kibernetikisht nëse nuk iu pëlqen ndonjë gjë, prandaj vetë shteti ka nevojë për ta dhe për mendimet dhe projektet e tyre.
“Ne ju kemi ftuar që të na flisni shumë hapur. Ju e keni edhe lirinë të thoni atë që doni, që mendoni, nuk keni varësi nga ne. Mendoj që ia vlen të kemi një Këshill, një forum, ku të mblidhemi 1 herë në vit, për të diskutuar mbi çështjen dhe mbi të rejat, qofshin për mirë, qofshin të keq. Juve e keni edhe lirinë që të thoni atë që doni dhe mendoni se nuk keni asnjë varësi nga ne. Dhe dispononi edhe instrumenta që mund të na bëni dëm nëse doni të merrni hak për ndonjë komunikim të papërshtatshëm nga ana jonë. Të na e bëni dëmin dhe pa e kuptuar se na e bëni dëmin dhe ta shijoni me talentet që keni duke parë se si na bllokoni,”- tha Rama ndër të tjera.
Ndër të tjera, në fjalën e tij kreu i qeverisë tha se qeveria do të jetë partnerë i drejtpërdrejtë me këtë sektor, duke krijuar instrumenta të rinj financiar për të mbështetur nismat.
“Nëse krijojmë një sinergji duke u përpjekur të vëmë në dispozicion mjetet që kemi mund të krijojmë më shumë hapësirë dhe brum për të pjekur në këtë furrë. I kam kërkuar ministres për sipërmarrjen është që duke ftuar një numër prej jush, të kemi një ditë si kjo dhe të trajtojmë në një mënyrë sa më shteruese problematikat e kësaj bote të re që është krijuar në vendin tonë duke folur për kapitalin njerëz, transformimin digjital dhe segmentet sektoriale dhe pozicionimin konkurrues. Ne kemi filluar të kuptojmë sesi mund të bëhemi partner të drejtpërdrejtë me ju, në funksion të interesave që përpiqemi të mbrojmë, dhe partner në sensin e financimit. Financim jo vetëm nga buxheti, por krijim të instrumentave të tjerë për financimin tuaj. Kemi nevojë për hapje të sistemit dhe besoj që ju keni çfarë të na mësoni”.
Edhe pse takimi ishte me ekspertët e teknologjisë, Rama përmendi edhe kontrollin mbi territorin dhe shembjet e IKMT të lidhura me aksionin për lirimin e hapësirave publike. Kreu i qeverisë shtoi se kompanitë e teknologjisë mund të ndërtojnë sisteme për bizneset, ku mund të shohin se sa çadra mund të vendosin në hapësirë publike, apo edhe në lidhje me parkimin.
“Është e pakuptimtë të kemi histori çadrash, parkimesh, kur mund të kemi sisteme, dhe mund t’i kemi shpejt. Lehtësojmë punën e atyre që thonë, ore sa karrige të nxjerrin jashtë. Ose ku mund të parkoj. Ke vend këtu, nëse nuk ke, ik në vend tjetër. Disa nga këto gjëra i kam parë, në studiot tuaja,”-shtoi Rama.
Kështu më gjatë u ndal tek aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje në zonën e Thethit. Sipas Ramës, zinxhiri institucional në Theth nuk ka funksionuar dhe fajësoi drejtëpërdrejt prokuroren për mosveprim.
“Ata që duhet t’i shikonin, nuk kanë bërë gjënë e duhur. Një strukturë e ka çuar çështjen në Prokurori, por prokurorja ka thënë se nuk ka problem. Kjo është arsyeja pse ndërtimet nuk u ndaluan më herët. Prokurorja ka thënë këtu s’ka probleme. Kjo do të thotë që koha për të ndërtuar një administratë si në vendet lidere të BE, ka qenë krejtësisht e pamjaftueshme. Se u bë në Shqipëri shumë zhurmë për një raport të auditit të brendshëm të BE për fondet e bujqësisë, mirëpo ajo që shohim sot me një tjetër vend të BE, nga i njëjti audit, është më e frikshme se sa çfarë doli nga auditi i Shqipërisë. Ai audit ka pranuar se në vendet e BE problematikat me fondet e bujqësisë mbeten reale sepse është njeriu në mes. Teknologjia këtu mund të na ndihmojë jashtëzakonisht. Ne kemi agjencinë e gjeo-referencave, ne kemi dronët që i kemi marrë për të kontrolluar vendin tonë, kemi satelitët, por na mungon një sistem funksional informacioni që të përpunojmë në kohë reale dhe nuk ka më nevojë as të kesh inspektorë,”-shtoi ndër të tjera në fjalën e tij numri një i maxhorancës./ZËRI