TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, propozoi që mocioni me debat për raportin e KE-së të zhvillohet në seancën e 14 majit.
Kryetari i parlamentit Niko Peleshi hodhi në votim për datën 14 maj diskutimin për zhvillimin e mocionit për debat, për raportin e DASH, për klimën e investimeve në Shqipëri. Me votat e mazhorancës, mocioni me debat u miratua.
Po ashtu, Balla replikoi edhe me PD, duke i cilësuar këta të fundit si ‘dashnorët e rinj’ të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Sipas Ballës, që prej kur ka nisur legjislatura e re, nuk kanë dhënë asnjë votë pro ligjeve që kanë kaluar në Kuvend sa i përket procesit të anëtarësimit në BE. Ai shtoi se mazhoranca nuk e ha presionin e PD-së për miratimin me ngulm të propozimeve të tyre për ligje.
"Sa i përket çështjeve të mocionit me debat të kërkuar. Kemi bërë një KK në nëntor. Kemi bërë një bashkim të dy çështjeve raportin e DASH dhe mocionin me debat për nenin 18 të ligjit e Kuvendit në procesin europian. Duhet të vijmë te pjesa për këtë debat. diskutimi në Konferencën e Kryetarëve, kam thënë në datën 7 apo 14 maj të zhvillojmë debatin që ramë dakord. Ju thoni e duam menjëherë, ne themi ta zhvillojmë më 7 apo 14 maj. Ju thoni që mazhoranca u ka kufizuar, mohuar të drejtën që ju të sillni iniciativa ligjore, atë të miratimit të nismave.
Nuk di, që shumica aktuale mes CDU dhe SPD të miratojë nisma ligjore nga AfD apo Green. Nuk ndodh. Ju thoni biem propozime, ju miratoni. Jemi të gatshëm të miratojmë propozimet, por jo me dhunë. As më forcë dhe gërdufje. Duhet të vini dhe ta prezantoni, diskutojmë dhe hajde miratojmë. Sot ju dashnorët integrimit, e kemi filluar legjislacionin në fund të shtatorit. Prej asaj dite ja ku kemi ligjet e përafrimit të legjislacionit të parakushteve të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, 23 ligje. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet asnjë votë pro e juaja. Në asnjërin prej tyre nuk gjendet një votë pro e PD. Ju vini dhe thoni pse nuk votoni ligjet tona. Këto nuk janë ligjet tona, por janë ligje të përafrimit të Shqipërisë me BE. Ka nga radhët tona që në grupe nuk kanë qenë dakord, ka qenë e vështirë për mua për ta sjellë në gërmën e legjislacionit europian.
Nëse ju e doni integrimin, anëtarësimin, sillni propozimet tuaja, për ligje komisione hetimore, mocione me debat por me variantin që o pranojeni këtë o ne.. nuk e bëjmë dot. Presione nuk hamë. Sa i përket fasadës së normalitetit të rremë apo përjashtimin nga procesi. Kush ju ka përjashtuar ju? Ju keni përjashtuar veten. Një qëndrim i deputetëve të PD ishte të zhvillohet mocioni me debat por pa datë, propozimi ynë të zhvillohet me 14 maj. Për çështjet e Europës.", tha Balla.
Nga ana tjetër, kreu i Grupit Parlamentar, Gazment Bardhi, reagoi ashpër pasi u miratua me shumicë votash mocioni me debat për raportin e DASH dhe integrimin më 14 maj. Bardhi u shpreh se opozita ende nuk është informuar se cila është lista e nevojshme me ligjet për t’u përafruar me legjislacionin e BE, ndërsa hodhi akuza se opozita është përjashtuar nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian.
“Për kërkesën që sapo hodhët në votim ( mocionin për raportin e DASH) është në shkelje të rregullores së kuvendit, rregullorja e kuvendit, pika 2 e nenit 98, ju detyron që të propozoni kur nuk ka mirëkuptim një datë që nuk mund të jetë kurrë më vonë se 30 ditë nga data e paraqitjes së mocionit. Se di me matematikën tuaj e llogarisni 30 ditë 5 muaj, sepse kërkesa jonë është e datës 5 nëntor. Ju vini me propozim që mocioni të zhvillohet në javën e parë apo të dytë të majit, në shkelje të rregullores.
Për të vijuar me listën që tundi kolegu, grupi i PD ka kërkuar listën e draftligjeve që ky kuvend duhet të miratojë në kuadër të integrimit. Ka kaluar në 6 muaj, se kush është lista e ligjeve të nevojshme në kuadër të procesit. E kemi kërkuar më shumë se 10 herë. Dhe vini këtu e tundni një listë ju nuk keni votuar ligjet. Nga ta dimë se kush janë ligjet ku jemi të përjashtuar nga procesi. Na i jepni t’i dimë se kush janë ligjet, ne nuk jemi këtu fasadë e juaj.“, tha Bardhi./ZËRI