
TIRANË- Komisioni i Ligjeve ka miratuar sot ndryshimet në Kodin Zgjedhor për votën e Diasporës. Mazhoranca dhe opozita ranë dakort për disa nga propozimet. Në mbledhjen e sotme u vendos që postën për votat që do të vijnë nga jashtë vendit do ti paguajë shteti. Gjithashtu është miratuar numërimi i votës së diasporës nga komisionerë partiakë. Një pikë tjetër ishte edhe afrimi i afateve për listën e kandidatëve për deputet. Depozitimi i listës u miratua të bëhet më 12 mars, ndërsa më herët ishte më 22 mars. Për këtë pikë Partia Demokratike nuk ka rënë dakort dhe votoi kundër.
Po ashtu Komisioni vendosi që partitë mund të grumbullojnë fonde sa 5-fishi i lekëve që u jep shteti për fushatë, ç'ka do të thotë se lejohet vetëfinancimi i kandidatëve në lista. Financimi u mbështet edhe nga opozita.
Damian Gjiknuri: Do jetë financim i vetë kandidatit, jo më shumë se 3 milion, të plotësojë formularët dhe t’i dorëzojë në KQZ. Kështu është përgjegjësia individuale, jo e partisë. Kandidatët e listës të partive politike, që është regjistruar si subjekt zgjedhor ka të drejtë të vetëfinancojë fushatën jo më shumë se 3 milion lekë. Deklarimi i këtij financimi paraqitet nga vetë kandidati pranë KQZ-së. Në përputhje me modelet e miratuara nga KQZ, shkelja e dispozitës parashikon sanksione. Hapësirë për kandidatët në lista është propozimi i mazhorancës dhe ta integrojmë në këtë draft.
Oerd Bylykbashi: Barazia e votës qoftë strikte apo proporcionale lidhet direkt me të drejtën e shprehjes, pjesë e së cilës është ajo e financimit. Korniza ligjore s’është në përputhje me ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ai person sot nuk ka të drejtë të flasë, t’i dëgjohet zëri si njeri me program dhe gjithashtu sa kohë korniza financiare ja pamundëson sigurisht është handikap ligjor që e zbeh këtë të drejtë që kanë fituar. E drejta primare është për t’u shprehur në mënyrë të lirë, kjo është e rëndësishme.
Ndërkohë është rrëzuar kërkesa e Partisë Demokratike, e cila kërkoi që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë as kartë identiteti dhe as pasaportë shqiptare. PD insistoi që të votojnë edhe ata me dokumente biometrike të vendit ku jetojnë, por kjo gjë kundërshtohet nga socialistët.
Oerd Bylykbashi: Ne e arsyetuam propozimin tonë, këtu dëgjova mos arsyet pse s’duhet votuar. Na qenka antikushtetuese! E vetmja gjë që mungon në këtë dokument, është numri i identitetit personal. Sa kohë këto të dhëna janë unike dhe fotografia i korrespondon, nuk ka diskutim që është shtetas shqiptar, ju thoni ju po s’pat paguar. Teknikisht bëhet, politikisht ju nuk doni t’i lejoni! Kodi Zgjedhor ka 0 referencë tek dokumentet e lëshuara nga Republika e Shqipërisë, teknologjia e mundëson identifikimin. Brenda afateve duhet të kenë të drejtën e votës.
Ndryshimet pritet të votohen të enjte në Kuvend. Mazhorancës do t'i duhen 84 kartonë jeshil për të siguruar ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Por pa opozitën, pra Partinë Demokratike, nuk ia del dot! Deri tani, dihet se PS ka 'në xhep', 78 vota të sigurta; 75 të vetat dhe 3 të PSD-së. Edhe Dashamir Shehi e ka shprehur votën e tij "pro". Votën 'pro' mund ta japë edhe PDIU me 4 mandatet e saj, por sërish nuk i grumbullojnë dot./ZËRI