
ATHINË-Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani është me origjinë greke. Këtë e ka zbuluar homologu i tij grek George Gerapetritis gjatë takimit në Athinë.
“Kemi fatin e mirë që në Shqipërinë fqinje të shërbejë si Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme një njeri me aftësi të jashtëzakonshme dhe një njeri që flet gjuhën tonë: Gjuhën e arsyes evropiane. Por edhe gjuhën greke, për shkak të prejardhjes së tij greke, të cilën sot e nderon”, tha ai.
Nga ana e tij, ministri Hasani theksoi lidhjet historike mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për thellimin e marrëdhënieve strategjike.
“Sot me mikun tim, afirmuam angazhimin tonë të përbashkët për të forcuar marrëdhëniet dypalëshe në një frymë miqësie, partneriteti dhe respekti të ndërsjellë. Këto marrëdhënie bazohen në interesat tona strategjike, në partneritetin tonë në NATO dhe synimin e përbashkët për një Evropë më të bashkuar“, tha Hasani.
Në takimin e mbajtur sot u diskutuan çështjet e pakicës greke në Shqipëri. Gjatë deklaratave të tyre, George Gerapetritis theksoi se "jetojmë në një moment të dhimbshëm gjeopolitik global, ku luftërat kanë tronditur arkitekturën e sigurisë". Ai deklaroi se Greqia bashkëpunon me Shqipërinë në kuadër të NATO-s dhe OKB-së dhe mbështeti anëtarësimin e vendit fqinj në Bashkimin Evropian, si dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Ndërkohë Hasani tha se u diskutua edhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe theksoi se transaksionet ekonomike me Greqinë arritën në 910 milionë euro në vitin 2024 dhe qëllimi është të arrijnë në 1 miliard në vitin 2025./ZËRI