Politikë

Mbyllja e TikTok, Rama: Kompania do na propozojë masa për rritjen e sigurisë tek fëmijët

Kreu i qeverisë lajmëroi se së shpejti në Shqipëri do të vijë edhe një ekip nga kompania për të diskutuar masa të reja sigurie për fëmijët që përdorin aplikacionin.

k.m.
Mbyllja e TikTok, Rama: Kompania do na propozojë masa për rritjen e
Edi Rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka dhënë komentin e tij pas publikimit të vendimit se aplikacioni "TikTok" në Shqipëri do të mbyllet për 12 muaj. Në rrjetin social "X", Rama shkruan se vendimi u mor pas konsultimit me prindër dhe mësues, duke zbuluar edhe detaje të tjera. Kreu i qeverisë lajmëroi se së shpejti në Shqipëri do të vijë edhe një ekip nga kompania për të diskutuar masa të reja sigurie për fëmijët që përdorin aplikacionin.

Edi Rama: Vendimi për mbylljen e përkohshme të TikTokut është e para një vendim i marrë në konsultimin e gjerë me 65 mijë prindër e mësues dhe e dyta, është një vendim i marrë pasi u ngritën kapacitetet e nevojshme teknike, ndërkohë që ne jemi në një dialog shumë pozitiv me kompaninë, e cila së shpejti do të vijë në Shqipëri për të na paraqitur qoftë një sërë masash për rritjen e sigurisë për fëmijët, përfshirë edhe në gjuhën shqipe, qoftë disa risi në shërbim të mësimeve e të studimeve. Ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.

Më shumë se dy muaj pas njoftimit, Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për mbylljen e TikTok për 1 vit në Shqipëri. Mbyllja e platformës u njoftua nga kryeministri Edi Rama në 21 dhjetor, pas një konsultimi publik. Shkak i nismës u bë vrasja e 14-vjeçarit Martin Cani, pasi një grup nxënësish u përfshinë në sherr me thika pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë më 18 nëntor 2024. Sa i përket vendimit, TikTok ka deklaruar se nuk ka prova që incidentet e dhunshme të përmendura janë të lidhura drejtpërdrejt me platformën e tyre./ZËRI

Poll

MOS HUMB