
TIRANË- Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu komentoi nënshkrimin e marrëveshjes për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë. Vengu e quajti këtë një bashkëpunim të natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Ai shprehet se kjo marrëveshje ka si synim të forcojë kapacitetet mbrojtëse dhe të mbështesë integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë, edhe si një mundësi për të reaguar ndaj kërcënimeve që mund të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit.
Vengu iu përgjigj edhe akuzave të Serbisë, duke deklaruar se vetë Beogradi e ka pezulluar mundësinë për të marrë pjesë në iniciativat rajonale. Më tej, ai shton se ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.
"Marrëveshja për mbrojtje dhe siguri mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë është një bashkëpunim i natyrshëm mes tre shtetesh sovrane. Si aleatë kemi një vlerësim të njëmendtë mbi kërcënimet që synojnë të pengojnë të ardhmen evropiane të rajonit tonë.
Ndaj kemi vendosur të bashkëpunojmë për të rritur kapacitetet tona mbrojtëse dhe për të mbështetur integrimin e Kosovës në mekanizmat rajonalë.
Serbia, duke ndjekur prej dy vitesh një politikë të karrikes boshe në iniciativat rajonale, ia ka pezulluar në mënyrë të njëanshme vetes mundësinë për të nxitur ose për të marrë pjesë në konsultime shumëpalëshe. Ky pezullim, që është në dorën e Serbisë të lihet mënjanë, e bën të kotë çdo narrativë viktimizuese që vjen nga qeveria serbe.
Në historinë e saj, Shqipëria nuk ka precedente marrëveshjesh ose traktatesh të fshehta në dem të fqinjeve, siç e kanë pasur shtete të tjera. Për rrjedhojë, krahas kureshtjes së ekspertëve të dramave rajonale dhe atyre që mezi presin të gjejnë një vesh për të dëgjuar rënkime, nuk e kemi aspak problem të publikojmë marrëveshjen tripaleshe", shprehet Vengu./ZËRI