
TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është "futur" në takimet që kryeministri Edi Rama ka zhvilluar gjatë fundjavës me socialistët. Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Berisha tha se Rama i ka akuzuar disa nga të pranishmit si "armiq", por nuk përmendi emra. Ndaj kërkonte që ta dinte nga socialistët në sallë me kë e kishte kryeministri Rama.
Berisha: Dje ua tha ju, armiq që ma punoni mbas shpine. Për kë e kishte? Më thoni mua. Për mua nuk e kishte se unë e kam përballë. Me ju e kishte. Prandaj thirreni këtu, hajde se të kërkon populli...
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Dhe tani thotë, Edi të thonë që je hajdut, por unë nuk jam hajdut, edhe fillon e thotë se, pse unë nuk kam vjedhur, se jam 2 metra i gjatë dhe thotë, ti je i pashpirt, jo unë jam me shpirt se u ktheva nga Parisi kur ndodhi fatkeqësia. Dhe çfarë nuk thotë, e futet në zhaba, zhapinj e hardhucë. Por dje ua tha ju, armiq që punoni pas shpine. Për kë e kishte, më thoni mua. Për mua nuk e kishte se unë i dal përballë, për ju e kishte. Po. Prandaj thirreni këtu, mos e lejë këtë papagallin mbrapa të flasë për të, se ky është, ç’e pyet si është ky. I kam paraqitur unë në parlament të gjitha, dosjen e tij. Do ta paraqes vazhdimisht. Thirre, bëj një akt, të kërkon populli thuaj në parlament me të. Nuk vjen dot. Unë edhe njëherë zotohem para shqiptarëve se, ‘Shqipëria Madhështore’, Shqipëria e ëndrrës së djemve dhe vajzave të tyre, do të jetë realiteti i 4 viteve që vijnë. Se brenda 3 muajve do të përmbyset shpërndarja e buxhetit. Do të ju shkojë në radhë të parë, tek ata që vuajnë dyhe numërojnë këfshatën. Tek ata që nuk blejnë dot ilaçet. Merr fund ajo. Do të shkojnë paratë për shkolla, kopshte, spitale, për të sëmurët, për ilaçe. Do të detaksohen ushqimet e të gjithë atyre që janë në nevojë. Do vendoset minimumi jetik 200 euro. Rroga minimale 500 euro. Rroga mesatare 1200 euro. Edhe do dalë të thotë ai, se kjo është katastrofë. Se po të rritet pensioni minimal Shqipëria përmbyset. Shqipëria nuk pëson asgjë, Shqipëria bëhet më e drejtë, më e ndershme, më fisnike dhe ne do ta bëjmë atë.
Po ashtu, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë, Berisha ka akuzuar mazhorancën se ka krijuar një hendek të thellë mes të pasurve dhe të varfërve, duke votuar ligje që favorizojnë pasurimin e zyrtarëve të lartë, ndërsa lënë pas dore pensionet dhe përmirësimin e kushteve për qytetarët. Në fund të fjalës së tij, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se forca politike që ai drejton do të jetë fituesja e zgjedhjeve./ZËRI