
TIRANË- Përtej lamtumirës për kryepeshkopin Anastas Janullatos, mesha e sotme ka një tjetër kuptim për politikën shqiptarë. Për herë të parë, prej vitesh, kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha janë bashkë në një dhomë. Herën e fundit kur kjo ka ndodhur, ishte në ceremoninë e largimit të Ilir Metës nga Presidenca e Shqipërisë. Që nga ajo kohë, Rama dhe Berisha nuk kanë qenë më kurrë në të njëjtën kohë, në të njëjtin event.
Ndaj për shqiptarët, përveç lajmit të përcjelljes për në banesën e fundit të kryepeshkopit, një sy ka qenë gjithëmonë nga karrigët në reshtin e parë.
Por më kot!
As Rama dhe as Berisha nuk këmbejnë asnjë fjalë me njëri-tjetrin. As kur futen në sallë! Berisha vjen i parë, e më pas e ndjek kryeministri me bashkëshorten e tij, Lindën. Por asnjë prej tyre nuk bën asnjë përshëndetje, por as kryedemokrati nuk i jep asnjë sinjal "afrimiteti". Në pozitën më të sikletshme ishte kryeministri grek, Kyriakos Mistotakis! Herë komunikonte me njërin, e herë më tjetrin.
Asnjëherë me të dy bashkë!
Në një moment, kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij grek janë parë duket biseduar mes njëri-tjetrit, ndërsa Berisha duket sikur po lexon, por mesiguri po i dëgjon me vëmendje.
Po ashtu, në fotot që Partia Demokratike ka shpërndarë me mediat, duket vetëm Berisha, ndonjëherë edhe kryeministri grek. Rama, jo!
Megjithatë duket qartë se paqe nuk ka!/ZËRI