Politikë

Kuvendi dha “OK”-in, Lamallari zbulon ndryshimet në ligjin për Policinë e Shtetit: Nga zinxhiri i komandimit te karriera

Sipas Lamallarit, ndryshimet e miratuara parashikojnë forcimin e kapaciteteve drejtuese, një strukturë më të thjeshtë dhe funksionale, si dhe një zinxhir më të qartë komandimi.

zh.ll
Kuvendi dha “OK”-in, Lamallari zbulon ndryshimet në ligjin
foto ilustrim: policia e shtetit-besfort lamallari

TIRANË- Kuvendi miratoi sot ndryshimet për ligjin për Policinë e shteti. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, përmes një postimi në rrjetet sociale e ka cilësuar paketën e ndryshimeve si një reformë që synon forcimin e institucionit, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 82, datë 26.07.2024, ‘Për Policinë e Shtetit’” u miratua me 52 vota pro, 2 kundër dhe asnjë abstenim.

Sipas Lamallarit, ndryshimet e miratuara parashikojnë forcimin e kapaciteteve drejtuese, një strukturë më të thjeshtë dhe funksionale, si dhe një zinxhir më të qartë komandimi. Po ashtu, ndryshime të tjera lidhen me sistemin e karrierës, dhënien fund të vakancave dhe administrimin më modern të burimeve njerëzore.

Lamallari thekson se Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më pranë qytetarëve, veçanërisht përballë sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional.

Postimi i plotë i Lamallarit:

Sot u votuan në Kuvend amendimet e reja në ligjin për Policinë e Shtetit, një reformë që e forcon institucionin, pa prekur parimet mbi të cilat është ndërtuar.

Çfarë ndryshon:

Kapacitet drejtues më i fortë – organizim më i thjeshtë dhe funksional, me zinxhir komandimi të qartë e vendimmarrje të shpejtë

Sistemi i karrierës – rikthehet lidhja mes gradës dhe funksionit drejtues, mbi bazën e meritës dhe eksperiencës

Fund vakancave të zgjatura – institucion me drejtues të përgjegjshëm, pa procese burokratike që zgjasin dhe krijojnë vakum

Administrim më modern i burimeve njerëzore – rregulla më të drejta për transferimet dhe një sistem disiplinor më proporcional

Ruajtja e kujtesës institucionale – përvoja e fituar ndër vite trajtohet si kapital shtetëror, jo privilegj

Në kushtet e sfidave të reja të sigurisë dhe krimit transnacional, Shqipëria ka nevojë për një Polici Shteti më të fortë, më profesionale dhe më afër qytetarëve.

Poll

MOS HUMB