Politikë

Kontroll në zyrë dhe ndërhyrje në e-mail-et e prokurorëve, Xhafaj: Sajesa, asgjë nuk është e vërtetë

Xhafaj e konsideron situatën si një fushatë të njohur dhe të përsëritur ndaj figurës së tij

F.I
Kontroll në zyrë dhe ndërhyrje në e-mail-et e
Fatmir Xhafaj

TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Fatmir Xhafaj, ka hedhur poshtë aludimet që lidhen me kontroll zyre, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat për ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Me anë të një reagimi në rrjete sociale, Xhafaj e konsideron situatën si një fushatë të njohur dhe të përsëritur ndaj figurës së tij, duke theksuar se nuk do të ndalet nga sulmet.

"ASGJË NUK ËSHTË E VËRTETË nga ato çfarë është thënë kohët e fundit për personin tim, për gjoja kontroll të zyrës, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat monstruoze për lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike,"-shkruan Xhafaj në reagimin e tij.

Në reagimin e tij deputeti socialist përmendi gjithashtu kontributin e tij në proceset e rëndësishme si Reforma në Drejtësi dhe angazhimin aktual në Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin.

REAGIMI:

Kam ndjekur kohët e fundit një seri raportimesh në media, plot me të pavërteta, insinuata dhe aludime nga gojë të shthurura e gjuhë të zgjidhura politikanësh apo pseudo-analistësh, që kanë për qëllim veç të përbaltin figurën time. Ashiqare ngjan me një fushatë të orkestruar sulmesh, njësoj siç kanë bërë edhe më parë. Duke çmuar shumë lirinë e shprehjes dhe të drejtën e medias të bëjë punën e vet, për të informuar publikun e për të garantuar transparencën dhe duke pasur e dëshmuar përherë respekt maksimal për njerëzit e medias, sulme të tilla nga disa intrigantë nuk më detyrojnë dot të hesht e as të ndërpres punën në shërbim të qytetarëve, në mbrojtje të ligjit dhe interesit publik. Aq më pak më zmbrapsin dot nga sfida e 11 majit për një kontratë të re besimi me qytetarët e Tiranës, që të vijoj të jem përfaqësuesi i tyre në Kuvendin e Shqipërisë dhe për të çuar përpara angazhimet e mia publike përball zgjedhësve të mi. Sulme të tilla janë veçse pasqyra e dobësisë se atyre që i gatuajnë, kuzhinierët pa din e iman të çorbës së vjetër e të prishur që i serviret publikut nëpër kanale e portale. Mediat që shpërndajnë këto trillime janë shembull i pasqyrave të thyera që nxijnë e deformojnë realitetin për interesa okulte.

ASGJË NUK ËSHTË E VËRTETË nga ato çfarë është thënë kohët e fundit për personin tim, për gjoja kontroll të zyrës, sekuestrim laptopi e dokumentesh apo insinuatat monstruoze për lidhje me ndërhyrjen e paligjshme në postën elektronike të prokurorëve të SPAK. Gjithçka nga këto është një thes gënjeshtrash, sajesa të ulëta të gatuara për motive qëllimkëqia, nga njerëz të paskrupullt moralisht! Unë i hedh poshtë me përbuzje dhe neveri. Jam i sigurtë se në momentin e përshtatshëm do të përballen me forcën e të vërtetës dhe ligjit si ata që i kanë nxitur edhe ata që kanë marrë përsipër të përdoren në këtë fushatë të pisët shpifjeje e intrigash publike.

Përballë tyre qëndroj i vendosur e me guxim sepse luftoj për atë që është e drejtë dhe e vërtetë. Zgjedhësit e mi, socialistët me zemër më njohin mirë prandaj më kanë zgjedhur dhe do të më votëbesojnë sërish në 11 maj, pikërisht edhe për arsyen kuptimplotë, se unë nuk jam nga ai soj politikanësh e zyrtarësh që e kanë ndërtuar karrierën duke shkelmuar çdo standard njerëzor dhe etik, duke keqpërdorur mediat si mish për top për të goditur nën brez kundërshtarët politik ose edhe konkurentët apo duke keqpërdorur funksionet në politikë, drejtësi e gjetkë nëpër institucionet shtetërore. KURRË në këtë karrierë të gjatë politike, në asnjë rast nuk kam fyer e cënuar kërkënd në integritetin e tij personal e familjar, qofshin këta edhe kundërshtar të mi politik.

Nuk është hera e parë për mua që përballem me këto sulme. Edhe kësaj radhe si çdo herë tjetër kushdo që përpiqet të më njollosë nuk ka për t’ja dalë sepse e vërteta është më e fuqishme se çdo forcë e padrejtë që mund të përpiqen të përdorin. Çdo shpifje, çdo gënjeshtër, çdo dezinformatë apo çdo kallëzim i rremë është një mjet i dobët që dëshmon batakun ku kanë rënë një takëm njerëzish, individë të frustuar mendërisht, politikisht e moralisht, që veç të vërtetës dhe interesit publik nuk iu shërbejnë. Unë jam shumë krenar për kontributin tim në politikë, në Partinë Socialiste, në qeveri e legjislativ dhe veçanërisht në procese të rëndësishme jetike për vendin siç ishte Reforma në Drejtësi apo kjo që kemi ndërmarrë së fundi me Komisionin e Posaçëm për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit. Do të vazhdoj të bëj punën time me përunjësi e përkushtim në shërbim të qytetarëve dhe Partisë Socialiste për të garantuar fitoren në zgjedhjet e 11 majit dhe për të bërë njëherë e mirë të pakthyeshëm rrugëtimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në lidhje me ndërhyrjen në adresat e e-maileve të disa prokurorëve, nën arrest janë vendosur Zambak Gjoni është një ish-zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve, ndërsa Arnold Rrokaj ka punuar në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Mjedisit. Sipas SPAK, ndërhyrja ka ndodhur më 12 mars, ku janë marrë disa informacione nga e-mailet e prokurorëve, por sistemi i brendshëm i IT-së nuk është cenuar. Sipas tyre, dosjet kanë mbetur të pacënuar. SPAK ka nisur një hetim të brendshëm administrativ për të verifikuar sigurinë e sistemit të IT-së të institucionit./ZËRI

Poll

MOS HUMB