TIRANË- Pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), ka ardhur reagimi i kreut të nismës "Shqipëria Bëhet", Adriatik Lapaj. Pasi KAS vendosi që të rrëzonte vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe mandatin t'ja kalonte Ana Dajkos, të parës në listën e mbyllur të Tiranës, Lapaj nuk ka mbetur pa reaguar. Në një postim në rrjetet sociale, ish-kandidati për deputet ka hequr një paralele lidhur me faktin se partisë tjetër, asaj SocialDemokrate, ndryshe nga "NSHB", i janë pranuar dorëheqjet. Megjithatë, ndër të tjera premton se një ditë ai dhe forca politike që drejton do të marrë atë që meriton.
"Pra, Psd-së i pranohen dorëheqjet dhe mandati kalon te lista e hapur. Neve jo që jo! Për ne zbatohet tjetër ligj se ne jemi Gulag. Jam aq shumë krenar që luftoj për garën e hapur! Do vijë dita e asaj që po kërkojmë. Një ditë ky vend do ketë garë,"-shkruan Lapaj.
"Kriza" në koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” nisi pasi daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni nuk pranoi të dorëhiqet dhe i shkroi KQZ që kërkon të marrë mandatin e deputetit në rast se atij i vjen radha, edhe pse pozicionohet i nënti në listën e mbyllur të koalicionit "Nisma Shqipëria Bëhet". Kjo solli edhe një përplasje në distancë mes Lapajt dhe Shabanit. Nga lista, Lapaj kërkon mandatin me pretendimin se mori në Tiranë 6500 vota, ndërsa Shabani 2 900 të tilla. Por duket se palët nuk kanë rënë dakord duke nisur një debat publik që sot është mbyllur.
Me vendim të KAS, çdo dorëheqje në bllok nga kandidimi apo mandati i kandidatëve në zgjedhje është nul dhe nuk mund të pranohet. Kështu, deputete nuk është më kushërira e Lapajt, Kleana Xhuveli, por Ana Dajko, e renditur e para në listën e Tiranës./ZËRI
