Politikë

Investimi në ishullin e Sazanit/ Berisha: Rama po e përdor për të blerë influenca politike

Sali Berisha theksoi se ky vendim po përdoret nga kryeministri Edi Rama për të fituar influencë politike.

k.m.
Investimi në ishullin e Sazanit/ Berisha: Rama po e përdor për
Sali Berisha 

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha zhvilloi një bashkëbisedim me ndjekësit e tij në rrjetet sociale. Gjatë bisedës, kryedemokrati u pyet mbi vendimin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë statusin e investitorit strategjik kompanisë së lidhur me Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të ri të SHBA, Donald Trump. Berisha theksoi se ky vendim po përdoret nga kryeministri Edi Rama për të fituar influencë politike. Por gjithashtu sqaron se Partia Demokratike nuk kundërshton ofertat ekonomike, megjithatë kërkon të jenë në përputhje me ligjet dhe rregullat e vendit

"Prej të paktën që nga viti 2001 gjer sot, Sazani iu është ofruar biznesmenëve të huaj në mënyrë periodike. Kjo është oferta e radhës, të cilën pa diskutim Edi Rama e bëri për të blerë influenca politike. Por, një ofertë e cila plotëson rregullat ligjore, ne kemi deklaruar se nuk kundërshtojmë ofertat që bazohen në respektimin e ligjeve dhe rregullave të vendit. Pavarësisht, theksoj dhe njëherë, se Edi Rama e ka përdorur atë për qëllime politike, por kjo është në tagrin e shqiptarëve të bëjnë vlerësimin e tyre për këtë përdorim,"-tha Berisha ndër të tjera.

Po nga qytetarët, kreu i Partisë Demokratike u pyet edhe për partitë e reja. Edhe njëherë numri një i PD-së u shpreh u hapur për të bashkëpunuar, por duket se tashmë kishte disa rezerva ndaj tyre. 

"Gjithçka mund të them për këtë çështje, ne jemi të hapur. Por, më duhet nga ana tjetër të them se, çdo ditë që kalon këto forca politike, në një mënyrë apo një tjetër i vetëakuzon, pasi objektiv kryesor në sulmet e tyre këta vënë PD-në. Dhe mendojnë se, në këtë mënyrë do të fitojnë besimin e qytetarëve. Ndërkohë që qytetarët kanë të qartë se, problem kryesor nuk është opozita, është teza e Edi Ramës. Problem për Shqipërinë është kleptokracia, është narkoshteti. Mirëpo, cilat janë arsyet që këto forca politike vendosen në funksionin e opozitarëve të opozitës, le t’i gjykojnë vetë qytetarët. Natyrisht, nuk është një rol i denjë, është një rol shumë kompromentues."

Por pavarësisht se me kë do të bashkëpunojë për zgjedhjet, Berisha foli edhe për projektet "post-votime". Nëse PD vjen në pushtet, kryedemokrati premtoi se çdo para "e vjedhur" nga pushtetarët, do u kthehet qytetarëve.

"Do bëjmë gjithçka që tu rikthehet shqiptarëve dhe ka shumë për ti rikthyer. Kur shikon hotele 20 katëshe, vila të panumërta, apartamente të fshehura, e morët vesh ju, që kryetari i bashkisë në Sky Toëer mbante apartament të paregjistruar, të padeklaruar. Por sa mund të ketë të tilla ai. Do të krijohen ekipe, do të jepen shpërblime për çdo informacion të saktë për pronat e këtyre qeveritarëve. Do të ndërmirret një hetim kombëtar dhe ndërkombëtar në mënyrë që këto pasuri tu rikthehen qytetarëve shqiptarë,"-shtoi Berisha./ZËRI

Poll

MOS HUMB