
TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar pas sulmit me vezë dhe kos që iu bë ish-kryebashkiakut të Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet në Tiranë në cilësinë e eurodeputetit grek. Në një reagim në rrjetet sociale, Bardhi shprehet se sulmi është orkestruar nga kryeministri Edi Rama. Po ashtu, kërkoi nga organet ligjzbatuese që të marrin masa dhe të hetojnë sulmin dhe autorin, Dilaver Nelën.
"Sulmi fizik i orkestruar nga Edi Rama, në mjediset e jashtme të Kuvendit, ndaj eurodeputetëve është një akt që turpëron Shqipërinë. Pasi i mbyllën derën në hyrje, më pas në dalje kaluan në sulm fizik, duke shkelur kodin e shenjtë të mikëpritjes dhe të harmonisë ndër etnike. Pasi anulloi takimin në mënyrë të papritur me eurodeputetët, si skuth urdhëroi sulmin ndaj tyre, duke provuar edhe njëherë që nuk njeh limite ndaj kujtdo që nuk i shërben interesit të tij personal. Në emër të Grupit Parlamentar të PD, dënoj me forcë sulmin fizik ndaj eurodeputetëve dhe i bëj thirrje organeve ligjzbatuese të veprojnë menjëherë,"-shkruan Bardhi.
Sot, Fredi Beleri u godit me vezë nga Dilaver Nela. Ky i fundit, e sulmoi pasi e ndoqi dhe i përmendi viktimat e masakrës së Peshkëpisë, ku Beleri dyshohet se ka marrë pjesë por është shpallur i pafajshëm në të gjitha shkallët e gjyqësorit. E gjithë ngjarja ndodhi pasi Fredi Beleri dhe eurodeputetët dolën nga takimi me grupet parlamentare në Kryesinë e Kuvendit./ZËRI