
TIRANË- Bashkimi Evropian ka reaguar pas një artikulli të publikuar nga “Syri.net” se ambasadori Silvio Gonzato ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare në favor të kryeministriit Edi Rama. BE shprehet se këto pretendime janë të rreme, ndërsa raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë të pavarura. BE shprehet se misioni i saj është mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj evropiane dhe jo të ndërhyjë ose manipulojë rezultatet.
“Deklaratë: Pretendimet se ambasadori i BE-së ndërhyri për të hequr emrat nga artikulli i raportit të ndërmjetëm të OSBE/ODIHR-it, të përsëritura në një artikull të botuar sot nga Syri .net, janë të rreme. Siç theksoi së fundi ambasadori i BE-së në deklaratat për shtyp, Bashkimi Evropian nuk ndërhyn dhe as nuk kërkon të ndikojë në proceset demokratike të Shqipërisë.
Për më tepër, raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it janë të pavarura, të paanshme dhe të bazuara vetëm në gjetjet e verifikuara nga ekipet e tyre të vëzhguesve. BE-ja është këtu për të mbështetur dhe shoqëruar Shqipërinë në rrugën e saj evropiane, jo për të ndërhyrë ose manipuluar në asnjë mënyrë. Dezinformimi mund të minojë besimin e publikut në proceset demokratike”, thuhet në reagimin e BE-së.
Syri.net publikoi një artikull ku pretendohej se ambasadori Silvio Gonzato ka hequr nga raporti parazgjedhor i OSBE-ODHIR emrat e eksponentëve të krimit dhe të efektivëve të përfshirë në krim elektoral. Më tej, në artikull thuhej se kishte prova se ambasadori i BE-së ka bashkëpunuar me Ramën për të fituar zgjedhjet.
“Ja prova qe hedh poshte ambasadorin e BE i cili pretendoi te kunderten e lajmit te SYRI se zyra e BE ne Tirane nuk ka nderhyre ne raportin parazgjedhor te OSBE. Sms eshte e nje vezhguesi nderkombetar te OSBE! Do kemi lajme ne vazhdim, por ky ambasador eshte nje me Ramen dhe jo me ate qe perfaqeson! Rrime ne kontakt!
Ps: Keto zgjedhje nuk ka ambasador qe i shpeton. Me dt 16 te gjithe ne Tirane, eshte dita e fundit ku mund te ndaloni instalimin e regjimit”, thuhet në artikull./ZËRI