TIRANË- Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta për zëvendësimin e masës së sigurisë. Edhe në seancën e sotme, përfaqësuesit e tij ligjorë kanë parashtruar argumentet për lirimin e Metës nga qelia.
Avokatët kanë sugjeruar një masë më të butë si ajo e bllokimit të pasaportës, me pretendimin se nuk ka asnjë rrezik që klienti i tyre të largohet apo të arratiset nga vendit.
“Gjykata duhet të mbajë parasysh jo vetëm historikun e tij si drejtues shteti, por edhe faktin që në këto momente kërkuesi është edhe presidenti i Partisë së Lirisë, forcës politike opozitare të dytë në Shqipëri,”- tha avokati i ish-presidentit. Megjithatë pretendimet e tij nuk u morën parasysh nga trupa gjykuese dhe Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli përgjatë të gjithë periudhës së gjykimit.
Pas përfundimit të seancës, avokati i Metës, Kujtim Cakrani, u shpreh se Prokuroria kërkoi qëndrimin në burg të Metës. Po ashtu, para gazetarëve shpjegoi edhe arsyet se përse ishte larguar nga seanca ende pa u dhënë vendimi.
“Me mua këta gjykatës nuk kanë shanse të tallen, duhet t'i kthehen ligjshmërisë. I thashë gjyqtarit do të largohem sepse ju vendimin e keni marrë. Prokurori kërkoi rrëzimin dhe Gjykata do ta rrëzojë. Mbrojtjen nuk e bën Meta, por e bëj unë. Meta ka qëndrimet e tij politike, por mbrojtjen nuk ma dikton as Meta dhe asnjë tjetër. Unë jam këtu për të parashtruar medimet e mia dhe për të parë se si sillet Gjykata. Mund të tallet Gjykata me cdo lloj avokati, por me mua nuk ka shanse të tallen,"- tha avokati.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI