Politikë

Gjithçka gati për 4-vjeçarin në Politikë

Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota.

fjona ibrahimi
Gjithçka gati për 4-vjeçarin në Politikë
Edi Rama dhe Ministrat

TIRANË-Ardhja e vjeshtës shënon dhe fillimin e ri të politikës shqiptare. Një mandat i katërt për Partinë Sociasite, një ekip i ri ministrash, një Kuvend ndryshe dhe me zgjedhje në disa nga Bashkitë e vendit…gjithçka duket se ka marrë formë për katër vjeçarin e ardhshëm politik.

135 deputetët e dalë nga zgjedhjet e 11 majit 2025 nga 140, u betuan në seancën e parë të Kuvendit. Në seancë nuk ishin të pranishëm Albana Vokshi, Oerd Bykykbashi dhe Jozefina Topalli. Deputetët të cilët munguan në çelje të kësaj legjislature, mund të betohen në seancën e radhës. PS do të përfaqësohet në këtë legjislaturë me 83 deputetë, nga të cilët 53 i ka emra të rinj, ndërsa PD dhe aleatët me 50 deputetë. PSD hyn me 1 deputetë, pasi kryetari i PSD, Tom Doshi dhe deputetja e po së njëjtës parti, Sabina Jorgo, hoqën dorë nga mandati. Partia Mundësia me 2 deputetë, ndërsa Lëvizja Bashkë dhe Nisma Shqipëria Bëhet me nga një deputet. Për këtë mandat, Niko Peleshi do të jetë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë. Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës.

Kjo është forma e Parlamentit të ri, por jo e finalizuar. Propozime e ndryshime, duket se do të shoqërojnë seancat në vazhdim.

Kryeministri Edi Rama një ditë para Kuvendit në asamblenë e PS njoftoi një reformë të re që do të prekë edhe Komisionet Parlamentare, por edhe vetë numrin e deputetëve që do të ulen në karrige, duke nisur nga mandati i ardhshëm. Rama tha se socialistët do të propozojnë uljen deri në 101 të numrit të deputetëve. Sa i përket Komisioneve, 7 prej tyre do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 prej tyre nga opozita. Peleshi do të thërrasë nesër kryetarët e grupeve parlamentare, ku do t’u kërkojë emrat për përbërjen e kryesive dhe anëtarësisë e komisioneve dhe përbërjen e organeve të tjera si Byroja apo delegacione. Votimi do të zhvillohet një ditë më vonë.

Partia Socialiste ka gjithçka gati me një ekip qeveritar me ministra të rinj dhe surpriza

Emra të panjohur për politikën do të marrin 'frenat' e disa prej Ministrive më të rëndësishme në vend. Por vëmendja dhe debati i parë në rangun politik, po zhvillohet rreth ‘Diellës’. Për herë të parë një ministre virtuale me Inteligjencën Artificiale, Diella, deri dje asistentja virtuale në e-Albania do të drejtojë Prokurimet Publike. Në dekretin e kryeministrit, Diella i ka kaluar në përgjegjësi Ramës.

Ekipi Rama 4:

Kryetar Kuvendi- Niko Peleshi

Zv.kryeministre dhe Ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku

Ministria e Brendshme, Albana Koçiu

Ministria e Jashtme, Elisa Spiropali

Ministria e Financave, Petrit Malaj

Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Blendi Gonxhja

Ministria e Arsimit, Mirela Kumbaro

Ministria e Shëndetësisë, Elis Salaj

Prokurimet publike, Diella

Ministër i Mjedisit, Sofjan Jaupaj

Ministër i Drejtësisë, Besfort Lamallari

Ulsi Manja, Komisioni i ligjeve

Ministria e Mbrojtjes, Pirro Vengu

Ministri i Bujqësisë, Andi Salla, kryebashkiak i Cërrikut

Ministër i shtetit për pushtetin vendor, Ervin Demo

Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu

Majlinda Dhuka, ministre e shtetit për negociatat me BE

Adea Pirdeni, Ministre për Antikorrupsionin

Taulant Balla, kryetar i grupit parlamentar

Nga ana tjetër edhe kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rikonfirmuar kreun e Grupit të PD-së, Gazment Bardhin. Nënkryetar vendosi që të jetë Belind Këlliçi dhe Tomorr Alizoti. Elda Hoti do të jetë sekretare e Grupit Parlamentar, ndërsa zëdhënëse do të jetë Ledina Aliolli. Ndërkohë, deputeti Agron Gjekmarkaj do të vijojë të mbajë postin e Nënkryetarit të Kuvendit. Por teksa PS pret vetëm dekretin e ministrave, demokratët vëmendjen e kanë kthyer nga pranvera, ku në prill të 2026 mandati i Berishës mbaron. Partia Demokratike, duhet të rihyjë në zgjedhje për kryetar dhe disa nga opozitarët kanë shprehur dëshirën e tyre për postin. Vetë Berisha ka deklaruar se nuk do e ndjekë nenin Basha dhe zgjedhje nuk do të ketë brenda PD. Se çfarë do të ndodhë do na duhet të presim dhe pak…

Duke ndjekur rrjedhën e zgjedhjeve, 11 maji ishte vetëm fillimi. Në 6 bashki të vendit do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale për shkak të largimit të kryebashkiakëve. Konkretisht: Tirana, Vlora, Berati, Mati, Tepelena dhe Cërriku. Gara më e fortë pritet të jetë ajo për Bashkinë e Tiranës. Socialistët do të hyjnë në garë me Ogerta Manastirliun, ndërsa në pikëpyeje është emri nga opozita. Berisha është shprehur se Ilir Alimehmeti është një kandidat i mundshëm por tha se emri do të dalë pas konsultimeve. Teksa emrat përfliten, brenda 7 ditësh, Këshilli duhet t'i hapë rrugë zgjedhjeve.

Zgjedhje do të zhvillohen edhe në Vlorë, ku Ermal Dredha dha dorëheqjen e papritur vetëm një ditë më parë. Në Cërrik, kryetari aktual Andis Salla u zgjodh nga Rama për të qenë ministri i ri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Edhe në Berat, Ervin Demo do të jetë ministër i Pushtetit Vendor në “Rama 4”. Tërmet Peçi i Tepelenës dhe Agron Malaj i Matit, do të jenë deputetë të rinj në Parlament, dhe post i kryebashkiakut është bosh. Data e zgjedhjeve lokale të parakohshme caktohet me dekret të presidentit të Republikës, Bajram Begaj.

Teksa senaca e parë u hap me një betim për qeverisjen në përgjigje të popullit shqiptar, rruga para është e gjatë.../ZËRI

Poll

MOS HUMB