
TIRANË-Procesi i shpërndarjes së fletëve të votimit tek zgjedhësit që jetojnë jashtë territorit të Shqipërisë nuk po kalon pa probleme. Së fundmi ka qenë kryetari i Partisë Demokratike në Athinë, Alfred Fizi, i cili ka reaguar ashpër ndaj mënyrës së procesit të votimit të emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, konkretisht në Athinë.
Në një postim në rrjetet socialee, Fizi e ka cilësuar këtë proces jo vetëm si të dështuar, por si pjesë të një skeme të mirëorganizuar për manipulimin e votës. Me anë të një imazhi, ku shihen zarfet me fletët e votimit të hedhura në trotuar, Fizi pretendon se nuk dihet kush i merr e kush i dorëzon ato.
“Të përfundojnë zarfet me fletët e votimit të emigrantëve në pika bastesh e të braktisur në hyrje pallatesh, dhe aq më keq që mos të dijë askush se kush i merr e kush i dorëzon, nuk është vetëm dështim i këtij procesi por një plan i studiuar nga mëndje perverse që e kanë zakon vjedhjen e votës”, shkruan Fizi në FB.
Ky nuk është rasti i parë i denoncuar në lidhje me procesin e shpërndarjes, ku më herët edhe vetë votuesit kanë njoftuar problematikat me të cilat po përballen.
Kostoja e paguar nga buxheti i shtetit për shërbimin e postës është 9.2 milion eurpo, pra gati 10 mln euro. Të gjitha këto para janë marrë nga kompania "DHL" për të kryer shërbimin e nevojshëm për të gjithë qytetarët që këto zgjedhjet për herë të parë votojnë./ZËRI