
TIRANË-Në konferencën e Sigurisë në Mynih, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi ashpër Bashkimin Europian se ka braktisur vlerat demokratike. Nënpresidenti amerikan tha se kërcënimi më i madh që i kanoset sot Evropës, ndryshe nga sa mendohet, nuk është i jashtëm. I pranishëm në konferencë ishte edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, por fjalimi u ndoq edhe nga kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, i cili komentoi një paragraf të deklaratës së zëvëndëspresidentit amerikan.
Duke përshëndetur fjalën e Vance, në një video të shpërndarë në rrjete sociale nga zyra e shtypit e selisë blu, Berisha thotë ndër të tjera se fjalët e zv.presidentit të SHBA-së janë thënë për kryeministrin Rama. JD Vance u shpreh në Mynih, se pushteti nuk mund të merret duke arrestuar kundërshtarët politik, apo duke censuruar mediat.
“Një fjalë historike e Zv/presidentit të SHBA-ve, JD Vance në Munih, në Konferencën e Sigurisë. Këto fjalë i shkojnë më shumë se kujtdo tjetër, Edi Ramës, kukullës së Xhorxh Sorosit në Tiranë, i cili arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të marrë një mandat të katërt”, shprehet kryetari i PD-së, Sali Berisha.
Por kujt i referohej vërtet nënpresidenti amerikan?
Vance akuzoi lideërt evropianë për veprime që minojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore, që i detyrojnë qytetarët të mbyllin llogaritë e mediave sociale dhe tha se Evropa po përballet me një krizë të brendshme të krijuar nga politikat e udhëheqësve të saj. Ai tha se fjala e lirë në është në rrezik dhe theksoi se në Shtetet e Bashkuara nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët ose duke i futur në burg.
"Kërcënimi që i kanoset Europës, për të cilin shqetësohem më shumë, nuk është Rusia, Kina apo ndonjë faktor tjetër i jashtëm. Shqetësohem nga kërcënimet e brendshme. Tërheqja e Evropës nga disa vlera të saj më themelore, vlera të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në Britani dhe në mbarë Europën, kam frikë se fjala e lirë është në rënie. Në Uashington, një sherif i ri ka marrë në dorë qytetin. Nën udhëheqjen e Donald Trumpit mund të mos biem dakord me pikëpamjet tuaja, por do të luftojmë të mbrojmë të drejtën tuaj për tu shprehur publikisht, doni apo s’doni ju. A nuk kemi mësuar asgjë që mandatet e hollë prodhojnë rezultate të paqëndrueshme? Por ka aq shumë vlerë që mund të arrihet me llojin e mandatit demokratik që mendoj se do të vijë nga të qenit më i përgjegjshëm ndaj zërave të qytetarëve tuaj. Nëse do të gëzoni ekonomi konkurruese, nëse do të shijoni energji të përballueshme dhe zinxhirë të sigurt furnizimi, atëherë keni nevojë për mandate për të qeverisur sepse duhet të bëni zgjedhje të vështira për t’i shijuar të gjitha këto gjëra. Dhe sigurisht, ne e dimë shumë mirë këtë. Në Amerikë, nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar kundërshtarët ose duke i futur në burg. Qoftë lideri i opozitës, një e krishterë e përulur që lutet në shtëpinë e saj, apo një gazetare që përpiqet të raportojë lajmet. As nuk mund ta fitoni një të tillë duke shpërfillur elektoratin tuaj bazë për pyetje të tilla si, kush duhet të jetë pjesë e shoqërisë sonë të përbashkët,"-tha ndër të tjera Vance.
Partia Demokratike në Shqipëri po orientohet nga Amerika, me ardhjen e strategut amerikan Chris LaCivita, duke shënuar një ndryshim në qasjen e saj ndaj fushatës elektorale. Christopher LaCivita u prezantua si drejtuesi i fushatës elektorale të PD për zgjedhjet e 11 majit. Ai shërbeu si këshilltar i lartë dhe menaxher i fushatës presidenciale të Donald Trump 2024, duke luajtur një rol kyç në formësimin e strategjisë për një nga garat më të ndjekura në botë./ZËRI