Politikë

Çështja "Aruba" që 'ndezi' Kuvendin! Takimi i Ramës në Karaibe, çfarë pretendon opozita? Mazhoranca kërkon prova

Seanca e sotme plenare nisi menjëherë 'e flaktë' me opozitarët që kërkuan interperlancë urgjente me kryeministrin Rama, pasi ky i fundit, sipas tyre, duhet të japë llogari lidhur me një takim të fshehtë të zhvilluar në Aruba në janar të vitit 2019.

zh.ll
Çështja "Aruba" që 'ndezi' Kuvendin! Takimi
foto ilustrim: Noka-Rama-Balla

TIRANË- Takimi i kryeministrit Edi Rama me mafian në Aruba, pretenduar nga opozita, u bë temë kryesore në Kuvend ç'ka solli reagime, replika dhe debate të forta mes palëve. Seanca e sotme plenare nisi menjëherë 'e flaktë' me opozitarët që kërkuan interperlancë urgjente me kryeministrin Rama, pasi ky i fundit, sipas tyre, duhet të japë llogari lidhur me një takim të fshehtë të zhvilluar në Aruba në janar të vitit 2019. Lidhur me këtë, opozita pretendon se në takim kanë marrë pjesë përfaqësues të qeverisë shqiptare dhe krimit të organizuar. 

Çështja "Aruba" u diskutua nga foltorja e Kuvendit, ku deputetët opozitarë hodhën akuza të forta. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, e cilësoi takimin në Aruba si tronditës. Sipas Nokës, shumica e deputetëve të mazhorancës janë përfaqësues të grupeve kriminale, duke pretenduar lidhje të tyre me disa prej tyre me individë të njohur për aktivitete kriminale. Ai ka theksuar gjithashtu se takimi në Aruba është një dëshmi e lidhjeve të thella të qeverisë me kriminelët.

Në fjalën e tij, Noka ka akuzuar qeverinë për shkatërrimin e ekonomisë dhe theksoi se raporti i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tregon se biznesi në Shqipëri është deformuar nga kartelet e drogës, duke e bërë vendin të vështirë për të zhvilluar një ekonomi të shëndetshme. Ai ka përmendur gjithashtu largimin e shqiptarëve nga vendi, për shkak, siç tha, të ndikimit të grupeve narkotike.

"Takimi i Arubës është tronditës. Shumica e deputetëve në parlament janë përfaqësues të krimit. Njërin nga ju e ka sjellë Ben Qimja, një tjetër e kanë sjellë Xhabaftët, tjetrin e ka sjellë një klan tjetër kriminal. Edhe takimi në Aruba është tronditës, atje përfaqësues të qeverisë janë takuar me kriminelët, mazhoranca është e lidhur me Troplinët, me Xhabaftët dhe me Suel Çelën. Raporti i DASH thotë se biznesi është deformuar nga kartelet e drogës. Narkosi ka shkatërruar gjithçka në biznes, sepse ka pastrim parash dhe konkurrenca është e padrejtë. Shqipëria cilësohet si vend që është e vështirë të bësh biznes. Ikin shqiptarët, për shkak se ke Narcos-in këtu.", u shpreh Noka.

Diskutimet për "Aruba" janë pësuar me kundërpërgjigje nga deputetët e mazhorancës. Teksa replikonte me deputetin demokrat, Klevis Balliu, zv.kryeministrja Belinda Balluku iu përgjigj akuzave të Nokës, prej të cilit kërkoi të nxirrte emra. Balluku theksoi se të gjithë kolegët e saj që ndodheshin në seancën plenare nuk u ka rënë rruga për në Aruba.

"I dashur koleg, kur del dhe hedh akuza, vëri emrin. Kolegët e mi nuk kanë qenë kurrë në Aruba, nuk iu ka rënë rruga. Nëse ke informacione, bën mirë mos të hedhësh tym, por vëri emrat, kush janë ata që kanë shkuar, sepse në këtu nuk kemi shkuar në Aruba." u kundërpërgjigj Balluku. 

Një kundërpërgjigje nuk mungoi as nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Në mbyllje të seancës, Balla i ka kthyer përgjigje pretendimeve dhe akuzave të opozitës për takimin  socialistëve me trafikantë droge në Aruba. Ai kërkoi nga kolegët e opozitës, dhe nga Noka veçanërisht, se nëse ka nëse kanë prova duhet të drejtohen me kallëzim në institucionin e akuzës. Por, Balla nuk kurseu as ironitë nda Nokës, duke thënë: "Fiksim e ka pas gjithë jetën të shkojë në Aruba me pushime dhe ‘Aruba Aruba Aruba’".

“Dhe në këto ditë është zgjedhur kryetari, qeveria, programi, rregullorja, tani e arritët qëllimin, e bëtë rrëmujën, pa ditur asnjë prej jush se për çfarë folën. Madje udhëheqësi poliedrik Flamur Noka foli këtu për programin. Fiksime e ka pasur të shkojë njëherë në Aruba, pa thënë asnjë emër, asnjë fjalë, se më e pakta do marrësh letrën dhe do bësh një kallëzim. Ata ikën por do i thosha një këshill, se mirë është që kur mbarojnë Konferencën e Kryetarëve, të paktën kryetari i tyre që nuk ishte sot këtu, është marrë vendimi që do ikni”, u shpreh Balla. 

Akuzat nuk kishin si të mos mungonin as nga kreu i demokratëve, Sali Berisha. Në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha hodhi akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama lidhur me takimin e pretenduar në Aruba, të cilin ai e cilësoi si “flagrant dhe të rrezikshëm për sigurinë kombëtare”. 

“Takimi i Arubës përcillet në heshtje varri nga Edi Rama dhe narkoministrat e tij. Ai po përpiqet ta arkivojë në harresë, por kjo nuk do të ndodhë,” tha Berisha para gazetarëve, ndërsa vijoi më tej duke e krahasuar rolin e kryeministrit shqiptar me atë të presidentit venezuelian Nicolas Maduro, duke thënë se Rama është bërë “kryetari i parë i një narkoshteti në Europë”.

Sa i përket kërkesës së opozitës, ajo është depozituar nga 7 deputetë të Grupit Parlamentar të PD: Sali Berisha, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Agron Gjekmarkaj, Luciano Boci, Ina Zhupa dhe Flamur Noka. Në kërkesën e grupit demokrat, nënvizohet se gjatë takimit në fjalë, në Aruba, është diskutuar ndërtimi i një kulle në Tiranë, investim për të cilin duhej mbështetja nga nivelet e larta të qeverisë. Këta të fundit, të cilët diskutonin ndarjen e përfitimeve janë konfirmuar nga përgjimet telefonike. 

"Veçanërisht me rëndësi është investigimi mbi një takim të fshtehtë të zhvilluar në periudhën 24–31 Janar 2019, në ishullin Aruba, në Karaibe, zyrtarisht territor i Mbretërisë së Hollandës. Sipas dokumenteve të siguruara nga Antimafia Italiane, në këtë takim kanë marrë pjesë biznesmenë, eksponentë të krimit të organizuar dhe përfaqësues të qeverisë shqiptare në detyrë, të afërt me kryeministrin Edi Rama. Sipas hetuesve, gjatë këtij takimi është diskutuar për ndërtimin e një kulle në Tiranë, në një truall që rezulton në pronësi të dy grupeve kriminale. Për realizimin e këtij investimi ishte e nevojshme mbështetja dhe miratimi nga nivelet e larta të qeverisë shqiptare, të cilat sipas përgjimeve ishin të pranishëm në Aruba dhe diskutonin për ndarjen e përfitimeve. Këto fakte janë konfirmuar jo vetëm nga përgjimet telefonike, por edhe nga burimet e Policisë gjermane.", thuhet ndër të tjera në kërkesën e Grupit Parlamentar të PD-së./ZËRI

Poll

MOS HUMB