Politikë

Pas 3 vitesh, Shqipëria me ambasador! Eric Wendt në krye të ambasadës së SHBA

Wendt vuri theksin tek lufta kundër korrupsionit dhe mbështetja për reformat në vend.

F.I
Pas 3 vitesh, Shqipëria me ambasador! Eric Wendt në krye të
Eric Wendt

TIRANË-Ambasadori Eric Wendt është konfirmuar nga Senati i SHBA-së me 51 vota pro dhe 47 kundër, duke marrë miratimin përfundimtar për detyrën e tij diplomatike. Votimi përfundimtar vjen pasi kandidatura e Wendt kishte kaluar më parë me sukses Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ku siguroi mbështetjen e shumicës së anëtarëve më 20 maj.  

Wendt theksoi para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se prioritetet kryesore të mandatit të tij në Tiranë do të jenë lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i partneritetit ushtarak mes dy vendeve, mbështetja për sigurinë kibernetike dhe krijimi i një klime më të favorshme për investimet amerikane në Shqipëri.

Me votimin në Senat, përfundon e gjithë procedura e konfirmimit institucional dhe ai pritet të fillojë zyrtarisht detyrat e tij në ditët në vijim, sipas afateve të përcaktuara nga administrata amerikane. Ambasada amerikane në Tiranë ka mbetur pa ambasador të plotë prej rreth tre vitesh, që pas largimit të ambasadores Yuri Kim në vitin 2023.

Kush është Eric Wendt

Sipas të dhënave të karrierës së tij, Eric P. Wendt është një oficer i lartë i ushtrisë amerikane në pension, me mbi 34 vite shërbim, pjesa më e madhe në forcat speciale “Green Beret”. Ai ka shërbyer gjithashtu si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, si dhe në pozicione të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.

Gjatë karrierës së tij, Wendt ka mbajtur detyra si koordinator sigurie i SHBA për Autoritetin Izraelito-Palestinez (2017–2019) dhe shef shtabi në Komandën e Paqësorit të SHBA. Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studimet pasuniversitare në fushën e sigurisë kombëtare në Naval Postgraduate School. Ai flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.

Wendt ishte propozuar më herët edhe për postin e ambasadorit në Katar gjatë mandatit të parë të Donald Trump, por kandidatura e tij nuk u konfirmua nga Senati.

Poll

MOS HUMB