LIVE UPDATES

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë! Akuza dhe përplasje të forta mes Nokës dhe Salianjit

➤ E shtuna e sotme i gjeti drejtuesit dhe përfaqësuesit e partisë Demokratike në një mbledhje të Kryesisë, e cila zgjati rreth 4 orë. ➤Mbledhja është zhvilluar mes tensioneve dhe përplasjeve të forta mes ish-deputetit Ervin Salianji dhe nënkryetari i PD-së, Flamur Noka. Në mbledhjen me dyer të mbyllura, Ervin Salianji i ka kërkuar dorëheqjen Flamur Nokës, duke e cilësuar atë përgjegjës për procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit. ➤Ndërsa Noka ka ironizuar Salianjin duke e akuzuar se veprimet e tij po i shërbejnë kundërshtarëve politikë të Partisë Demokratike.➤Partia Demokratike ka vendosur të mos kërkojë shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë, njoftoi se PD nuk do të angazhohet më në këtë çështje.

7 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

PD nuk do ta ankimojë Avokatin e Popullit, Berisha: Rama le ta gëzojë

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Sali Berisha

TIRANË- Partia Demokratike ka vendosur të mos ankimojë në Gjykatën Kushtetuese zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Kreu i PD, Sali Berisha, gjatë mbledhjes së Kryesisë, deklaroi se partia nuk do të angazhohet më tej për këtë çështje.

“Duhet të kërkojmë falje publike për deputetët që firmosën për Avokatin e Popullit. Rama le ta gëzojë, ne nuk do merremi me këtë në Kushtetuese. Ky ishte një gabim dhe duhet ta pranojmë”,- mësohet se ka thënë Berisha në mbledhjen me dyer të mbyllura.

Diskutimi u zhvillua ndërsa PD shpjegoi se deputetët që kishin firmosur për kandidatin Endrit Shabani, brenda afateve ligjore, tërhoqën më pas firmat e tyre. Berisha theksoi se kjo nuk do të ndryshojë qasjen e partisë, duke nënvizuar nevojën për transparencë ndaj qytetarëve./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

E pafalshme, jep dorëheqjen Flamur! Përplasje mes Salianjit e Nokës në mbledhjen e Kryesisë

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Foto ilustruese

TIRANË- Në mbledhjen e kryesisë së Partisë Demokratike, është regjistruar një debat i ashpër mes anëtarit Ervin Salianji dhe sekretarit të përgjithshëm, Flamur Noka.

Mësohet se nga mbledhja me dyer të mbyllura Salianji i ka kërkuar Nokës dorëheqjen, duke e akuzuar për gabime që, sipas tij, kanë dëmtuar rëndë partinë, veçanërisht lidhur me çështjen e Avokatit të Popullit.

“Jep dorëheqjen Flamur, e pafalshme gabimi me Avokatin e Popullit dhe shkatërrimi i partisë, dil tako demokratët nëse i takon dot”, mësohet të këtë thënë Salianji.

Nga ana tjetër, Noka ka sugjeruar që kritikat të shqyrtohen brenda strukturave të partisë dhe jo jashtë saj.

Gjatë diskutimit edhe kreu opozitar Sali Berisha foli për rolin e protestave dhe qytetarëve, duke theksuar se qytetarët duhet të shprehin veten përmes veprimeve të tyre dhe duke paralajmëruar që PD nuk duhet të veprojë si “zjarrfikës” i protestave. Në thelb, mbledhja ka reflektuar tensionet brenda PD-së për strategjinë dhe drejtimin e partisë./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Debat në Kryesinë e PD-së, Noka i përgjigjet Salianjit: Nuk jap dorëheqjen, i bëhet qejfi Ramës

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Flamur Noka dhe Ervin Salianji

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, komentoi sot për gazetarët debatin e zhvilluar në mbledhjen e Kryesisë së PD-së me ish-deputetin Ervin Salianji me të cilin pati përplasjet më të forta. Noka e akuzoi Salianjin gjatë mbledhjes se veprimet e tij po u shërbejnë kundërshtarëve politikë të opozitës. Nga ana tjetër, Ervin Salianji reagoi ashpër, duke i kërkuar Flamur Nokës dorëheqjen.

Sekretari demokrat ju përgjigj ish-deputetit, duke deklaruar se fokusi i opozitës duhet të jetë axhenda e demokratëve dhe jo, sipas tij, axhenda që i shërben qeverisë. Sipas Nokës e vetmja dorëheqje që duhet të kërkohet është ajo e kryeministrit Rama dhe dorëheqja e tij.

“Unë flas për axhendën e demokratëve dhe të opozitarëve, ndërsa ju flisni për axhenda jashtëpartiake që janë në shërbim të qeverisë. Sot dorëheqja e vetme që kërkohet nga kushdo është dorëheqja e Ramës. Dorëheqja ime apo e kujtdo tjetër këtu qetëson vetëm një gjë:Ramën dhe shërbëtorët e tij”,- u shpreh Noka.

Debati në Kryesinë e PD-së ka vijuar rreth 4 orësh, ku janë përfshirë edhe drejtues të tjerë të opozitës./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Bislim Ahmetaj përplaset me Flamur Nokën: Ne të mbajmë me makinë 100 mijë euro, po a mbledh dot njerëz?

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Makina e Flamur Nokës

TIRANË- Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kryesisë së Partisë Demokratike ka pasur debate të ashpra mes drejtuesve dhe përfaqësuesve të kësaj partie. Në qendër të debateve ka qenë edhe Bislim Ahmetaj, i cili ka dalë hapur në mbështetje të Ervin Salianjit, pas tensioneve të këtij të fundit me Flamur Nokën dhe Sali Berishën.

Ahmetaj ka deklaruar se nuk e ka mbështetur Salianjin në të kaluarën, kur ky i fundit, së bashku me Berishën, rrethuan selinë e PD-së për t’ia marrë atë Lulzim Bashës. Megjithatë, Ahmetaj ka theksuar se Salianji arrin të mbledhë njerëz në takime dhe ka sfiduar drejtpërdrejt Flamur Nokën me pyetjen: “Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz?”.

Ai më tej ka ironizuar shpenzimet e partisë, duke thënë se PD e mban Nokën me një makinë që kushton 100 mijë euro, në vend që të fokusohet te takimet me qytetarët.

 “Salianji ka ardhur me shkop bejsbolli këtu e unë nuk e kam dashur. Po ai mbledh njerëz. Dil ti Flamur, a mbledh dot njerëz? Se ne jemi shumë të zënë si parti, mbajmë ty me makinë 100 mijë euro me kondicioner ndezur behar e dimër. Për këtë shpenzojmë më shumë. Jo për të takuar njerëz.”- mësohet të ketë thënë Ahmetaj. /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Akuza pas mbledhjes së kryesisë, Salianji: Noka përgjegjës për situatën ku ndodhet partia

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Ervin Salianji

TIRANË-  Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së PD-së, duke deklaruar se diskutimet e zhvilluara në mbledhjen e sotme zhvendosën vëmendjen nga protesta dhe nxorën në pah paqartësi serioze në vendimmarrjen e partisë.

Në prononcimin e tij për mediat, Salianji theksoi se brenda Kryesisë kishte mendime të ndryshme, ndërsa shtoi se çdo ndryshim kërkon sakrifica. Ai u shpreh se ndaj çdo akuze do të përgjigjet me fakte dhe emra konkretë. Salianji e bëri përgjegjës sekretarin e përgjithshëm të PD-së, Flamur Noka, për atë që e cilësoi si vendimmarrje të paqartë në disa raste.

"Jam i keqardhur që mbledhja e Kryesisë e zhvendosi fokusin nga protesta. Kishte mendime të ndryshme. Do eci përpara, çdo ndryshim nuk vjen pa sakrifica. Çdo akuze do t’i përgjigjemi me fakte konkrete dhe me emra konkretë. Vendimmarrja e PD e cila ishte e paqartë në mjaft situata e bën përgjegjës Flamur Nokën. Kur u zgjodh Bamir Topi president, në momentin që 6 deputetë të PS votuan, pati dorëheqje të menjëhershme. Nuk mund të rrimë peng i interesave. Po bëj përgjegjës drejtuesit e PD për paqartësinë në vendimmarrje të caktuara,"- tha Salianji.

Nërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka në një deklaratë për mediat ka hedhur dyshime dhe hipoteza lidhur me procesin e zgjedhjes së Avokatit të Popullit, duke folur për firmat e dhëna nga deputetë të PD-së për kandidaturën e Endri Shabanit. Noka bëri me dije se disa deputetë kanë pranuar se janë kontaktuar personalisht nga Shabani, ndërsa përmendi edhe gojëdhëna sipas të cilave Grida Duma mund të ketë qenë negociatore e kryeministrit Edi Rama për këtë çështje.

"Jo, sqarimi është gjë shumë e thjeshtë e sqarim. Keni parasysh, shumë njerëz, po them shumë kolegë të mi, nën emocion pse Shabani kishte ofruar si mbështetje ndaj kandidatit të përbashkët të opozitës, mbase janë dy. Sot në mbledhje ka thënë pesë deputetë që i ka telefonuar dhe e pranoi dhe vetë Salianji. Madje ka, ka gojëdhëna që vetë Grida është negociatorja e Ramës për Endri Shabanin. Gojëdhëna. Ka gojëdhëna. Tani, kjo është histori që nuk i intereson... Ju sqaroj, ju sqaroj."- u shpreh Noka./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Berisha paralajmëron mbledhjen e Këshillit Kombëtar: Qëllimi, beteja përfundimtare për zgjedhje të lira

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Sali Berisha

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, njoftoi gjatë mbledhjes së Kryesisë së PD-së se së shpejti do të caktohet data e mbledhjes së Këshillit Kombëtar. Sipas tij, ky forum do të analizojë situatën politike në vend dhe do të marrë vendime për atë që e cilësoi si “beteja përfundimtare” e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Berisha theksoi se Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e një procesi që ai e konsideron farsë zgjedhore, duke nënvizuar se objektivi kryesor mbetet rrëzimi i qeverisë aktuale. Ai deklaroi se ekzistojnë dokumente dhe ligje ndërkombëtare që, sipas tij, dëshmojnë manipulimin e procesit zgjedhor.

“Së fundmi, kjo mbledhje duhet të caktojë, në afatin e duhur kohor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të PD për analizën e situatës ku jemi dhe për të marrë vendime të tjera. Qëllimi është përqendrimi i Partisë Demokratike me të gjitha burimet dhe resurset e saj drejt një beteje përfundimtare për zgjedhje të lira dhe të ndershme,”- u shpreh Berisha.

Ai shtoi se PD nuk do të pranojë të jetë pjesë e asaj që e quajti një farsë zgjedhore: “Alternativa është e qartë: ose bëhemi stoli në farsë, ose nuk shkojmë. Ne nuk shkojmë. Kemi dokumentin ndërkombëtar dhe ligjin ndërkombëtar që tregojnë se procesi ishte farsë." /ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Mbledhja e Kryesisë së PD! Salianji i pranishëm, Berisha: Më 22 dhjetor protestë kombëtare

E shtuna në Kryesinë e PD-së: Shkatërrove partinë!
Sali Berisha

TIRANË-Kryesia e Partisë Demokratike është mbledhur sot në një mbledhje urgjente. Kryedemokrati Sali Berisha ka bërë me dije më herët se ky takim do vendosë fillimin e revoltave që nuk do të ndalen deri me largimin e kryeministri Edi Rama. Në këtë linjë, Berisha ka njoftuar se më 22 dhjetor do të zhvillohet një protestë kombëtare, deri në krijimin e qeverisë teknike.

"Ndaj dhe duhet të fillojmë protestat. Duhet t’i besojmë protestës. Duhet të organizojmë protestat, duhet t’i fillojmë sa më parë. I kemi filluar ato që janë te kryeministria. Por me datën 22, duhet të thërrasim protestë kombëtare. Ata shqiptarë që vijnë, ata janë të bekuar. Ata që nuk do vijnë, do vijnë më vonë. Por ne kurrë nuk do bëhemi pengesë, përkundrazi nxitës të protestave gjer ditën e fundit që të krijohet qeveria teknike në këtë vend për zgjedhjet e lira. Agjendë tjetër nuk ka dhe nuk mund të ketë PD."- tha Berisha.

Në selinë e PD, ndodhet edhe ish-deputeti Ervin Salianji, i cili nisi veç një lëvizje me qëllim ringritjen e Partisë Demokratike, por edhe një analizë për humbjen e njëpasnjëshme të zgjedhjeve. PD me në krye Sali Berishën nisi protestat me 'Foltoren' para kryeministrisë e më pas me takime nëpër rrrethe. Krahas tyre edhe Salianji nisi takimet me demokratët./ZËRI

Poll

MOS HUMB