
KAPSHTICË- Një incident ka ndodhur në pikën kufitare të Kapshticës! Ekipet e dy mediave shqiptare, A2 CNN dhe TvKlan janë mbajtur për më shumë se 3 orë në kufi dhe nuk janë lejuar që të kalojnë nga pala greke. Saga e bllokadës greke ndaj mediave shqiptare në Kapshticë ka marrë fund rreth orës 17:10.
Gazetarët shqiptarë ishin nisur për në vendin fqinjë, atje ku nesër kryeministri Edi Rama do të mbajë një takim me shqiptarët që jetojnë në Selanik. Por rrugëtimi u është ndërprerë për disa orë nga dogana e palës greke. Sipas raportimeve të gazetares së A2 CNN, Fjorela Beleshi, doganierët helenë ju mbajtën pasaportat dhe nuk i lejuan të vijonin udhëtimin, duke iu komunikuar se për të bërë të mundur kalimin e tyre në kufi duhej një autorizim nga Ministria e Jashtme greke. Pasi lajmi u bë publik nga mediat, ka pasur një ndërhyrje edhe nga eurodeputeti grek dhe ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri.
Fjorela Beleshi: Unë edhe për shkak të kontakteve që kam pasur ditën e fundit jam përpjekur që të komunikoj edhe me eurodeputetin grek, pjesë e partisë së kryeministrit të Greqisë, zotin Fredi Beleri. I deklarova se ju e bëtë mediatike dhe u shqetësuat për një person që protestoi në Tiranë, ndërkohë që gazetarët po i mbajnë në pikën kufitare të Kapshticës, edhe pse me gjithçka në rregull, si me dokumente dhe me autorizimet përkatëse dhe përgjigjia e tij ishte: “Po pse?”.
Erion Dushi: Nga z. Beleri a ka pasur një tentativë për të gjetur një zgjidhje apo për t’u angazhuar personalisht? Keni pasur ju një lloj fjale burrërore nga ana e tij që do përpiqet t’ju asistojë?
Fjorela Beleshi: Komunikimi ynë ka mbetur deri në momentin që më pyeti se përse po ju mbajnë aty. Ia shpjegova, por nuk kemi patur një kthim përgjigje ende, apo një komunikim nga ana e tij. Duhet të themi Erion se nuk ka ndodhur ndonjëherë, as në Greqi kur ishim në Maj me operatorë, së bashku me kamera, nuk na ka ndodhur që të na ndalojnë apo kërkojnë një autorizim, sepse një media private nuk ka nevojë për autorizim nga Ministria e Jashtme greke apo shqiptare nëse i ka të gjitha dokumentet apo autorizimet përkatëse për mjetet që disponon.
Nga ana tjetër, gazetarja Elia Zotka u shpreh se kishte komunikuar me Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme dhe konsullen shqiptare në Selanik. Pavarësisht se nota verbale ishte dërguar me urgjencë tek pala greke, sërish nuk ishin lënë që të kalonin.
“Kemi komunikuar me Ministrinë tonë të Punëve të Jashtme, kemi komunikuar edhe me konsullen shqiptare në Selanik. Ajo ka bërë gati prej më shumë se dy orësh edhe notën verbale. I është dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë. E mendonim se mund të kishte disa vonesa për shkak se sot është fundjavë dhe edhe atje normalisht është ditë pushimi dhe atje punonjësit nuk janë në punë. Duhet ta mirëkuptonim këtë. Edhe këtu në pikën kufitare na thanë që duhet të prisni vetëm pak minuta e ndërkohë vazhdojmë presim, nuk e di edhe për sa orë të tjera do të qëndrojmë këtu,”- tha Zotka.
Megjithatë, paravarësisht vështirësisë, janë lejuar që të kalojnë lirisht, edhe pse pas 3 orësh. Gazetarët shqiptarë po shkojnë në Greqi pasi ditën e nesërme, kreu i qeverisë, Edi Rama do të zhvillojë një takim me shqiptarët në Selanik. Edhe pse po ndjek të njëjtin itinerat si gazetarët, lidhur me incidentin e ndodhur, ende nuk ka asnjë reagim nga i pari i vendit. Po ashtu, lidhur me ngjarjen e ndodhur nuk ka asnjë reagim as nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme./ZËRI