TIRANË- Drafti i propozuar për Kodin e ri Penal ka hapur një diskutim publik me ata që janë shprehur kundra dhe atyre që e shohin si një reformë për t’ju përgjigjur sfidave të kohës, shtuar këtu edhe momentit që Shqipëria po negocion për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Këta të fundit i kanë bërë thirrje qeverisë që të bëhet konsultim me të gjithë institucionet e drejtësisë, pasi SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme deklaruan se nuk kanë qenë pjesë e hartimit të draftit.
Në lidhje me mdryshimet në Kodin Penal, Organizatat e Shoqërisë Civile ka shprehur shqetësimin, ku arsyeton se risitë cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe të shprehjes në vend.
Konkretisht sipas Organizatës, dispozitat e propozuara në nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi. Ata i kanë bërë thirrje urgjente Ministrisë së Drejtesise, Këshillit të Ministrave dhe palëve të interesuara të përfshira në procesin e miratimit të Kodit të ri Penal që: të rishikohen në thelb nenet 865, 863 dhe 536.
DEKLARATA:
Ne,organizatat e shoqërisë civile, shprehim shqetësimin tonë të thellë në lidhje me ndryshimet e propozuara në draft-Kodin Penal të Shqipërisë, pasi ato cenojnë seriozisht lirinë e medias dhe të shprehjes në vend. Në mënyrë të veçantë, dispozitat e propozuara në nenet 865 (Shpifja), 863 (Fyerja) dhe 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), përmbajnë elemente shqetësuese të cilat krijojnë paqartësi dhe mundësi për interpretim arbitrar dhe abuziv në zbatimin e tyre ndaj gazetarëve, mediave dhe shoqërisë civile dhe rojtarëve publik në tërësi.
Neni 865 (Shpifja) vazhdon ta mbajë shpifjen si kundravajtje penale, në kundërshtim të hapur me rekomandimet ndërkombëtare dhe vendase dhe standardet e Këshillit të Evropës, duke rritur ndjeshëm gjobat dhe duke hequr kriterin thelbësor të "dijenisë se informacioni është i rremë". Kjo situatë i ekspozon gazetarët ndaj ndjekjeve penale edhe kur kanë qenë në mirëbesim, duke rritur pasigurinë juridike dhe frikën e raportimit kritik. Sanksionet janë shumë të ashpra, sidomos kur shpifja kryhet përmes shtypit, medias elektronike apo rrjeteve sociale, duke rrezikuar efekt frenues mbi lirinë e medias dhe raportimin kritik.
Neni 863 (Fyerja) është i paqartë dhe i formuluar në mënyrë tepër subjektive, duke përfshirë terma si "shqetësim për opinionin publik" apo "zakonet e mira", pa dhënë përkufizime konkrete. Gjithashtu, masa e propozuar e dënimit me burgim deri në dy muaj për fyerjen e rëndë është joproporcionale dhe bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që kërkon trajtimin e fyerjes vetëm përmes masave proporcionale civile, pa burgim dhe pa rrezikuar gazetarinë kritike apo satirike.
Veçanërisht shqetësues është Neni 536 (Ndikimi në pavarësinë e gjykatës), i cili ndalon në mënyrë të gjerë bërjen apo publikimin e komenteve mbi procese gjyqësore, duke qenë kështu një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në rolin legjitim të medias, akademikëve dhe shoqërisë civile për të mbikëqyrur dhe komentuar zhvillimet në drejtësi. Ky nen është formuluar qëllimisht në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoret për të penalizuar arbitrarisht çdo koment apo raportim kritik, duke pamundësuar monitorimin publik të rasteve gjyqësore dhe hetimeve që përfshijnë figura publike dhe zyrtarë shtetërorë. Për më tepër, ky nen përmban një masë jo proporcionale të dënimit me burg deri në tre vite, gjë që shkakton një efekt frenues ndaj raportimeve investigative dhe kritike mbi drejtësinë.
Në këtë kontekst, këto dispozita cenojnë rëndë lirinë e medias, kufizojnë transparencën dhe dobësojnë rolin e gazetarëve dhe të shoqërisë civile si mbikëqyrës të pushtetit, duke krijuar një klimë të papërshtatshme dhe frenuese për punën e tyre.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shqetësimeve dhe krtikave për draftin e Kodit të ri Penal. Përmes një postimi në platformën X, Rama shprehet se gazetarët duhet të rrinë të qetë se nuk ju vjen asnjë e keqe nga Kodi i ri Penal. Kreu i qeverisë sqaron se drafti aktual i Kodit te ri Penal nuk është hartuar nga Ministria e Drejtësisë apo nga Këshilli i Ministrave, por ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.
Rama thekson se qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe po e studion draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet e veta me ato të grupit të ekspertëve. Kreu i qeverisë shprehet se propozimi i draftit është një proces demokratik dhe iu përgjigj edhe institucioneve të drejtësisë, që u shprehën kundër këtij Drafti, duke u kërkuar që "të mos bëjnë deklarata qesharake", por të ulen dhe të diskutojnë me ekspertët për ndryshimet e nevojshme.
Postimi i Plotë i Ramës:
Shoh që disa shoqata gazetarësh na kanë bërë një thirrje urdhëruese për të ndërhyrë urgjentisht në draftin e Kodit të Ri Penal, çka tregon se ata që duhet të informojnë publikun për procesin e saponisur të diskutimit të këtij drafti nuk e kanë kuptuar akoma (edhe pse u tha shumë qartë nga ministri i drejtësisë) se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Ministrave, nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftit po ia kanë besuar një grupi ekspertësh të nderuar, nën udhëhehjen e Drejtorit të Shkollës së Magjistraturës, Profesor Arben Rakipit.
Kështu, hëpërhë qeveria është thjeshtë njëra nga shumë palët në këtë proces dhe e kemi marrë e po e studiojmë draftin, për të ballafaquar më pas qëndrimet tona me ato të grupit të ekspertëve, gjë që ua sugjerojmë edhe shoqatave të alarmuara për lirinë e shtypit, të cilat në këtë fazë, në vend se të alarmohen duhet të ndjehen shumë të lehtësuara e të respektuara, sepse kanë të gjithë kohën e nevojshme për ta studiuar e pastaj ballafaquar draftin e Kodit të Ri Penal me grupin e punës, njësoj siç do të bëjë qeveria e siç duhet të bëjnë të tëra palët e interesuara - sidomos ato brenda sistemit, të cilat në vend se të japin deklarata sa të nxituara aq edhe qesharake për shtyp, bëjnë mirë të ulen me grupin e ekspertëve dhe të ballafaqojnë opinionet e tyre.
Ky është një proces demokratik dhe transparent, ku kush do të kontribuojë për një Kod të Ri Penal për Shqipërinë 2030 në BE i ka rrugët e hapura e të gjithë kohën e nevojshme, ndërsa kush do të bëjë zhurmën e vet mund ta bëjë, se demokracia i ka edhe zhurmuesit e vet, po s’mund të thotë dot që s’na pyeti kush. Pasi të bëhen të gjitha ballafaqimet e grupit të punës me të gjitha palët e interesuara dhe në pavarësi të plotë nga qeveria, Ministria e Drejtësisë do ta marrë draftin e rishikuar e do ta konsultojë natyrisht edhe me Komisionin Europian, sepse pa vulën e Brukselit drafti nuk shkon dot në parlament! Kështu që miq të shoqatave të shtypit rrini të qetë se nuk ju vjen dot asnjë e keqe nga Kodi i Ri Penal, në Shqipërinë që po shkon në BE dhe jo në BRSS.
Kodi i ri Penal
Gjithsej janë bërë 30 ndërhyrje në Kodin Penal. Kodi i Ri parashikohet të jetë me 327 nene, në krahasim me atë aktualin i cili ka 285 nene e 550 paragrafe. Kodi i ri organizon veprat penale në mënyrë më logjike dhe me më pak përsëritje, për shembull, krimet seksuale, korrupsioni, dhuna familjare, janë të grupuara qartë. Një nga ndryshimet kryesore ka të bëjë me lirimin e të dënuarve përjetë. Mashtrimi do të ndëshkohet me 5 vjet burg, krahasuar me maksimale 3 vjet në ligjin aktual. Për trafik droge, kodi i ri parashikon dënime nga 5 deri 15 vjet burg, ndërsa kodi aktual kishte maksimum 10 vjet në raste të rënda. Paraburgimi dhe llogaritja e tij kanë pësuar gjithashtu ndryshime. Risitë e reja përfshijnë edhe krimin kibernetik, sigurinë ushqimore, mjedisin, prishja e qetësisë publike dhe janë ashpërsuar masat për të miturit./ZËRI





