TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka deklaruar në podcastin e tij “Flasim” se, duke nisur nga dita e sotme, qeveria do të nisë një tur takimesh në të gjithë vendin. Qëllimi sipas tij, është komunikimi i drejtpërdrejtë me qytetarët lidhur me punët e qeverisë, si dhe pengesat që duhet kapërcyer.
“Dhe në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tashmë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe, natyrisht, në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe, natyrisht, për të dëgjuar njerëzit.
Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore. Në këto takime do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për pengesat që duhet të kapërcejmë.
Do të flasim për gjithçka që njerëzit duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida të përbashkëta, ku, natyrisht, përgjegjësia kryesore i takon qeverisë dhe s’ka sesi të jetë ndryshe,” tha ai.
Lajmërimi i kryeministrit vjen pas mbledhjes së djeshme me dyer të mbyllyra të zhvilluar në Pallatin e Kongreseve me kabinetin qeveritar dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Në takimin e djeshëm Rama prezantoi nisën 'Punët për Shqipërinë', ku parashikohet që të gjithë deputetët dhe ministrat do të jenë në terren pë takime me qytetarët në të gjithë vendin. Turi do të vijojë deri në muajin qershor, konkretisht deri në datën 12, që përkon me 35-vjetorin e Partisë Socialiste./ZËRI