Politikë

Diaspora në FOKUS! Rama mbyll takimet me ministrat dhe të dërguarit politikë, ky mund të jetë slogani i PS për "11 majin"

Për 7 orë sot, e mbi 6 orë dje,  kryeministri Edi Rama diskutoi me ministrat dhe të dërguarit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit. 

k.m.
Diaspora në FOKUS! Rama mbyll takimet me ministrat dhe të
Edi Rama

TIRANË- Për 2 ditë resht, Edi Rama mblodhi socialistët në Pallatin e Brigadave duke u dhënë direktiva të qarta për zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen më 11 maj. Takimi i sotëm nisi në orën 13:00 të mesditës dhe përfundoi në 19:55. Për 7 orë sot, e mbi 6 orë dje,  kryeministri Edi Rama diskutoi me ministrat dhe të dërguarit politikë të Partisë Socialiste në 12 qarqet e vendit. 

Diskutimet janë zhvilluar me dyer të mbyllura, por janë zbuluar detaje. Ndryshe nga sa ka ndodhur gjatë fushatave të tjera elektorale, kësaj here takimet me votuesit nuk do të zhvillohen vetëm brenda vendit, por edhe jashtë. Socialistët do të duhet që të zhvillojnë takime elektorale edhe jashtë Shqipërisë, kryesisht në Itali, Greqi dhe Gjermani, atje ku është regjistruar edhe numri më i madh i votuesëve që duan të ushtrojnë të drejtën e tyre përmes postës. 

Në këto takime elektorale do të marrë pjesë edhe vetë kryeministri Edi Rama. Por socialistët ende nuk kanë një slogan, edhe pse mund të jetë: Me ne në BE, me ata në kënetë!

Edhe pse ky mund të jetë slogani, mbetet që të konfirmohet nga vetë kreu i socialistëve. Ashtu siç e ka bërë me dije në çdo dalje të tij, duket se premtimi për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian do të jetë "kali i betejës" për socialistët këtë fushatë. Ndërsa dje, për 6 orë u analizua çdo sektor i qeverisjes dhe u vendosën se cilat do të jenë premtimet që do ju bëjnë shqiptarëve për t’ju kërkuar votën për një mandat të ri.

Po ashtu, në takimin e sotëm, drejtuesit politikë të qarqeve mësohet se kanë dorëzuan listat e kandidatëve që kishin hartuar, por miratimi i tyre do t’i takojë Kryesisë së Partisë Socialiste. Diskutimet u përqendruan edhe tek kandidatët që do të jenë pjesë e listës së mbyllur dhe asaj të hapur.

Por po sot, gjatë një takimi me gratë dhe vajzat me rastin e 8 marsit, Rama ka premtuar se listat zgjedhore të Partisë Socialiste,  do të jenë të mbushura me të rinj dhe gra. Sipas tij, ato do të jenë të vendosura tek pjesa e sigurt e listave, ajo me emra të mbyllur. Por emrat konkretë do t'i mësojmë me listën që do depozitohet zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve më 12 mars./ZËRI

Poll

MOS HUMB