Politikë

Dëshmia e James Rubin në Hagë/ Rama: Liria ka emër, proces shtangës që njollos drejtësinë ndërkombëtare...

Procesi, sipas Ramës, është shtangës dhe ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare.

zh.ll
Dëshmia e James Rubin në Hagë/ Rama: Liria ka emër, proces
james rubin-edi rama

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka reaguar lidhur me procesin gjyqësor që po zhvillohet në Gjykatën Speciale në Hagë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përmes një postimi në rrjetin e tij social, Facebook, Rama ka publikuar një video të dëshmisë së ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin në Hagë. Procesi, sipas Ramës, është shtangës dhe ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare.

"LIRIA KA EMËR! Nga dëshmia e ish-Ndihmës Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në Hagë ku një proces shtangës ka njollosur keq drejtësinë ndërkombëtare…", shkruan Rama.

Dëshmia e James Rubin në Hagë, në mbrojtje të ish-drejtuesve të UÇK-së që mbahen prej pothuajse 5 vitesh në paraburgim me urdhër të Gjykatës Speciale, ka vijuar edhe sot në ditën e dytë. Rubin e quajti të padrejtë mbajtjen për pesë vjet në paraburgim të të akuzuarve, të cilët, sipas tij, u dorëzuan vullnetarisht.

Përveç karrierës diplomatike, Rubin ka shërbyer si profesor dhe komentator në institucione prestigjioze si Oxford, Universiteti Columbia dhe Shkolla Ekonomike e Londrës, dhe është nderuar me çmime të larta për arritjet e tij profesionale.

Paraqitja e provave të mbrojtjes vjen katër muaj pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar përfundoi me dëshmitarët e saj dhe e mbylli çështjen. Prokuroria solli 125 dëshmitarë në sallë, si dhe dëshmi të tjera u dhanë me shkrim. Mbrojtja e katërshes së UÇK-së i mohon akuzat dhe ka argumentuar se UÇK-ja nuk ka pasur strukturë të organizuar komanduese.

Aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, u bë publike vjeshtën e vitit 2020. Prej atëherë, ata qëndrojnë në qendrën e paraburgimit në Sheveningen të Hagës. Gjykimi ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjyqtarët në Speciale presin që mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së të paraqesë shkresat përfundimtare deri më 22 dhjetor të këtij viti./ZËRI 

Poll

MOS HUMB