TIRANË-Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar takimin mes disa prej përfaqësuesve të Partisë Demokratike, larg syve të mediave, i cili ka ndezur pretendimet se një lëvizje e re brenda kësaj force politike po merr formë. Takimi i organizuar nga Ervin Salianji u zhvillua mes disa prej emrave më të votuar në listën e hapur apo primaret e PD-së, në ambientet e një hoteli privat në kryeqytet, ku të pranishëm ishin Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja, Hysen Kadiu dhe demokratë të qarqeve të tjera.
Përpos aludimeve, Berisha nuk u shpreh i shqetësuar për takimin, ndërsa theksoi se mendimi ndryshe nga më të votuarit janë normale. Kreu i PD përmendi, Salianjin dhe Alimehmetin, duke i ftuar ata në zyrë të shprehin mendimet e tyre.
“Unë i shqetësuar? Jo. Njerëzit që kanë marrë më shumë vota janë në Parlament. Për listat e hapura ata janë njerëz të nderuar, janë aktivistë të shquar të PD dhe njerëz me kontribute të pamohueshme në PD dhe është gjëja më normale mendimi ndryshe në parti. Kanë instancat secili, Salianji është anëtar i Kryesisë së PD dhe ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Të tjerët janë, Alimehmeti është këshilltari i parë i opozitës në Tiranë. Të gjithë kanë vendin ku të shprehin mendimet e tyre, unë pres cdo demokrat në zyrë, por janë të ftuar të shprehin mendimet e tyre gjithë demokratët, nuk ka asnjë lloj risie këtu të jem i sinqertë”, u shpreh Berisha për News24.