
TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është rikthyer në Kuvend pas 11 muajsh mungesë.
“Unë futem, metamorfoza del!”, ka deklaruar Berisha për mediat.
Në seancën e sotme parlamentare do të votohet nen për nen buxheti i vitit 2025. Kjo seancë gjithashtu shënon rikthimin e kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha pas 11 muajsh në Kuvend. Berisha u lirua pak ditë më parë nga arresti shtëpiak pasi Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit hoqi masën e caktuar ndaj tij.
Kjo seancë pritet të zhvillohet me tensione, pasi edhe më parë opozita ka kundërshtuar miratimin e projekt buxhetit, ku dhe organizoi “mosbindje civile”. Një ditë para seancës plenare, demokratët kanë kërkuar disa shtesa në projektligj dhe kanë depozituar pranë Kuvendit të Shqipërisë listën me 34 amendamendet e tyre. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi ditën se demokratët kanë për qëllim që t'u vijnë në ndihmë me propozimet e tyre të gjithë qytetarëve. Ndër amendamentet e propozuara nga PD, përfshihet caktimi i minimumit jetik në 200 euro, rritjen e pensioneve dhe shtimin e fondeve për spitalin Onkologjik. /ZËRI