
TIRANË- Kryesocialisti Edi Rama ka dhënë komentin e tij lidhur me postimit të gazetarit amerikan Mark Caputo, se kryedemokrati Sali Berisha mund të udhëtonjë në SHBA. Në rrjetet e tij sociale, Rama ka ripostuar edhe njëherë një video me "buf", duke e shoqëruar me një mesazh. Në komentin e tij për lajmin, Rama e cilëson si një "trushpëlarje".
Edi Rama: Thashë se ia hoqën vërtetë damkën të shpëtonte Shqipëria nga një turp i pashembullt, po aha, hiç, qenkej një tjetër nga ato talljet e Bufit me lukuninë e Kënetës, ku mbetet gjithnjë i palëkundur besimi se po e tha Bufi fluturon edhe gomari…Trushpëlarje aq shembullore u ka bërë në tërë këto vite të shkretëve, sa që edhe kur Bufi i rrjedhur përçartet rrugëve, Këneta sheh ëndrra madhështore me rrugë qumështi dhe mëndafshi, ku oqeani bëhet kos dhe kapelja trampiste e Bufit shumëfishohet në miliona tenxhere floriri.
Reagimi i Ramës vjen pas një postimi në "X" nga gazetari amerikan Mark Caputo. Ky i fundit pretendon se ka komunikuar me një përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe se ka marrë një përgjigje se kryedemokrati Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA-ve./ZËRI