
TIRANË- Sot do të mbahet në Tiranë takimi i 18-të i Komisionit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. Në këtë takim delegatët do të diskutojnë për temat: Sundimi i ligjit, lufta kundër krimit dhe korrupsionit; Liria e medias dhe zgjedhjet; Zhvillimi Ekonomik dhe Turizmi; Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal. Takimi do të drejtohet nga Toni Gogu si kryetari i delegacionit të Kuvendit të Shqipërisë dhe Marco Tarquinio, kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian.
Kjo mbledhje gjithashtu “bashkon” Partinë Socialiste me atë Demokratrike. Pasi 7 nga deputetët demokratë do të marrin pjesë në këtë takim. Të pranishëm do të jenë: Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku, Ina Zhupa, Zheni Gjergji, dhe Saimir Korreshi. Pasi ata të përfundojnë takimin, duhet të shkojnë menjëherë në protestën që kanë organizuar.
Por ajo që do të vihet re në këtë takim sot mes dy delegacioneve është ai mes eurodeputetit Fredi Beleri dhe kryeministrit Edi Rama. Gati dy vite nga arrestimi dhe kalvarin, që e ndoqi në SPAK, Fredi Beleri do të ketë takimin e tij të parë me kryeministrin Edi Rama. Por takimi nuk do të jetë më në kuadër të kundërshtarit politik, por mes një kryeministri dhe një deputeti të Parlamentit të Europës. Tashmë është e konfirmuar që Beleri do të zhvillojë takimin e parë me kreun e qeverisë.
Në fakt, në listë për të ardhur në Shqipëri fillimisht nuk ishte Beleri por një tjetër eurodeputet grek, Manolis Kefalogianis. Në mungesë të tij, vjen Beleri, i cili ka pasur një betejë të gjatë me kryeministrin Rama. E gjitha nisi që në fushatën e zgjedhjeve lokale të vitit 2023. Asokohe Beleri kandidonte në emër të kualicionit "Bashkë Fitojmë" për Bashkinë e Himarës. Që në fushatë ka pasur përplasje mes tij dhe Ramës, me këtë të fundit që nuk i kurseu as shënjestrimet publike ndaj tij. Gjatë fushatës i vendosi 'nofkat': gdhë, dru, analfabet e sqepar. Në një intervistë për mediat greke, Rama u shpreh se komentet e tij kishin ardhur si pasojë e premtimeve që bënte Beleri gjatë fushatës, të tilla si “do të çonte përpara procesin e ndërprerë të helenizimit të Himarës”.
Më 11 maj, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, Beleri dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në fushatë u arrestuan nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me akuzën e blerjes së votave. Arrestimi i tij solli një sërë përplasjes mes Athinës zyrtare dhe Tiranës. Pala greke pretendonte se po cënoheshin të drejtat e minoritetit dhe kërkonin lirimin e Belerit për të bërë betimin pasi edhe pse në burg kishte fituar zgjedhjet në Himarë. Madje pretendonin se në të kundërt do të pengonin rrugën e Shqipërisë në BE. Tirana zyrtare nga ana tjetër, u distancua nga aksioni duke shtuar se do të linte drejtësinë që të bënte detyrën. Pas shumë kërkesash për të bërë betimin, Beleri nuk u la të dilte nga qelia. Ai u lirua pas afro 16 muaj në qeli, më 2 shtator.
Teksa vuante denimin në Shqipëri, Fredi Beleri mori mbështetje nga Athina zyrtare dhe në qershor të këtij viti u zgjodh eurodeputet nën siglën e “Demokracia e Re”, të kryeministrit Mitsotakis. /ZËRI