TIRANË-Kryeministri Edi Rama ka publikuar një videomesazh në Facebook, ku ka folur për ankimin në Kushtetuese për pezullimin e zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Rama ka deklaruar se ankimimin në Gjykatë Kushtetuese e ka bërë vetë ai por si kryeministër.
Në videomesazhin e tij kreu i qeverisë një përgjigje i ka dhënë edhe kreydemokratit Sali Berisha, i cili në një konferencë për shyo u shpreh se do ta padisë Ramën lidhur me pezullimin e Belinda Ballukut, pasi sipas tij, ka shpërndarë dezinformacione duke pretenduar se Komisioni i Venecias e mbështet qëndrimin e tij.
Berisha: Dita e djeshme shënoi një akt të pashembullt multidimensional në historinë e Shqipërisë dhe Evropës. Dje Edi Rama mori përsipër presionin e jashtëzakonshëm mbi GJK, presion të hapur të dënuar me ligj në çdo vend, për të mbrojtur veten e tij dhe Belindën, pas shpinës së të cilës ka ngrenë vetë dardha dhe kumbulla të prishura. Rama mashtroi në mënyrë të paskrupullt, mashtroi shqiptarët dhe Evropën. Sipas tij, Komisioni i Venecias nuk pranon apo është kundër pezullimit të ministrave. Krahas Komisionit të Venecias, ai rreshton GJEDNJ, që është gjykata garantë e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Le të marrim sulmin e paskrupullt, e pashembullt ndaj GJK dhe sistemit evropian të drejtësisë, Komisionit të Venecias. PD do të bëjë një padi për mashtrim publik ndaj Edi Ramës. Ai do paditet që nesër për mashtrim publik para qytetarëve për këto që thotë. Nuk ka asnjë dokument të Venecias, që pezullimi i ministrit është shkelje e palejueshme e kufirit ndarës mes pushteteve.
Berisha pretendon se Rama ka ushtruar presion ndaj Kushtetueses, ndërsa vetë kreu i qeverisë shprehes se nuk i ka bërë presion askujt dhe e gjitha është një betejë institucionale.
Edi Rama: Presion gjykatës? Kryeministri nuk duhet të flas për një proces gjyqësor. Me një pjesë nuk jemi kuptuar. Prandaj jam këtu duke e nisur me pyetjen, a e dini se kush e ankimuar në Kushtetuese pezullimin e ministres? E kam ankimuar unë si kryeministër dhe jo për individ një ministër që në këtë rast është edhe zv.kryeministër, por për parimin e moscenimit të balancës mes pushteteve, për parimin e mosndërhyrjes në një pushtet të pavarur, e mos marrjes së kompetencave të kryeministrit dhe presidenti nga një prokuror e gjykatës. Unë jam palë dhe flas si palë, nuk i bëj presion askujt. Unë flas për publikun, për një proces që vendos jo për mua, por për balancën e pushteteve, për lirinë kushtetuese të kryeministrit për të vendosur për ekzekutivin dhe përbërjen e tij, të drejtën ekskluzive të parlamenti për të miratuar ose jo përbërjen e një qeverie. Pavarësisht nga unë, na ne, nga ata që sot jemi dhe nesër s’jemi. Nëse pezullimi i një ministri nga një prokuror dhe gjykatës, do legjitimohej si një e drejtë e ligjshme e drejtësisë, atëherë shtrirja e krahut të gjyqësorit përtej kufirit ndarës me ekzekutivin, do krijonte precedent të rrezikshëm dhe kërcënues, sepse duke i hapur rrugë presioneve politike ndaj qeverisë, destabilizimit institucional do ndodhet diçka që është e panjohur në Europë.
Duhet të jesh krejt i verbuar nga urrejtja për ta kthyer dhe këtë konflikt kompetencash mes ekzekutivit dhe gjyqësor në një konflikt politik siç bëjnë për çdo gjë të mbyturit e kënetës. Hidhen përpjetë mbi llumin e tyre për të kapur nga dyert e prokurorisë ushqimin për opozitarizmin, në këtë rast nuk e tregojnë dot, një rast në Europë dhe botë po të duan, që u pezullonka anëtari i qeverisë me vendim gjykate. Nuk e gjejnë dot se nuk ka dhe nuk kanë se si dhe ku e nxjerrin. Pezullimi i një ministri me iniciativën e një prokurori dhe një gjyqtari është rrëmbim i kompetencës së kryeministrit.
Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit vendosi për pezullim nga detyra të zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Gjykata arsyetoi se vendimi erdhi pasi Balluku mund të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët, në sajë të detyrës që mban. Balluku me vartësit e saj akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro. GJKKO ka caktuar edhe arrest shtëpie për kreun e ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezin, aktualisht drejtor i KESH.
Vendimi i GJKKO u ankimua në Gjykatën Kushtetuese nga qeveria me një kërkesë zyrtare për shfuqizimin e vendimit. Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, qeveria kërkon pezullimin e vendimit të GJKKO vetëm për pjesën e pezullimit nga detyra të Belinda Balluku, teksa argumenton se ky vendim sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror. Kushtetuesja është ajo që do të vendosë për 'fatin' e Ballukut, ndërsa kryeministri Edi Rama ka deklaruar se zëvendësimi i Ballukut në qeveri nuk do të ndodhë./ZËRI

