
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu ka folur për arrestimin e ish-kolegut të tij, Jurgis Çyrbja. Në fjalën e tij, gjatë emisionit “Off the Record”, Gogu nuk i kurseu fjalët e mira për kolegun e tij, duke e cilësuar si një person "të gjindshëm". Por edhe pse i është arrestuar kolegu, Toni Gogu tha se ky është "një lajm i mirë".
“Si koleg i zotit Çyrbja ndjej keqardhje, sepse ka qenë një nga kolegët më të gjindshëm, jo vetëm për ne deputetët e Partisë Socialiste, por edhe për kolegët e opozitës. Është bërë realitet i pakthyeshëm tashmë dhe beteja me drejtësinë është betejë e çdo individi që ka pasur apo ka pushtet në Shqipëri. Të gjithë të pushtetshmit që ballafaqohen me ligjin besoj që është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët,”- deklaroi Gogu.
Ish-deputeti i qarkut të Durrësit u arrestua me urdhër të SPAK pasi akuzohet për lidhje me një grup kriminal në Durrës. Çyrbja dyshohet se ka dalë në komunikime në platformën e koduar Sky ECC me grupin kriminal, të cilët e kanë ndihmuar për të marrë mandatin e deputetit në zgjedhjet parlamentare në vitin 2021./ZËRI