Politikë

Ahmetaj në arrati, Balluku nën hetim? Komisionerja për Zgjerim e BE: Një hap përpara, ndodh kudo

Në përgjigjen e saj Komisionerja për Zgjerimin në BE, u shpreh se kjo do të thotë një hap përpara sepse këto çështje janë zbuluar dhe rastet e korrupsionit ndodhin kudo në Europë.

F.I
Ahmetaj në arrati, Balluku nën hetim? Komisionerja për Zgjerim e
Marta Kos

TIRANË-Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Europian, Marta Kos, në një intervistë për DW, teksa foli në lidhje me hapjen e kapitullit të fundit të bisedimeve me Shqipërinë, u pyet edhe për luftën kundër korrupsionit. Kos u pyet edhe për hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe arratinë e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Në përgjigjen e saj Komisionerja për Zgjerimin në BE, u shpreh se kjo do të thotë një hap përpara sepse këto çështje janë zbuluar dhe rastet e korrupsionit ndodhin kudo në Europë. Sipas Kos e rëndësishme është të ketë institucione që i luftojnë këto çështje.

Marta Kos: Për mua është një hap përpara se këto çështje janë zbuluar. Nuk jam e lumtur që dëgjoj këto raste. E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën, por kjo tregon se institucionet anti-korrupsion po punojnë. Siç e kam thënë më parë, ne gjithashtu kemi raste korrupsioni brenda Bashkimit Europian. Ato ndodhin kudo. E rëndësishme është të kemi institucione; vendet kandidate i kanë institucionet për t’i luftuar këto raste. Më pas do të jetë sistemi gjyqësor ose gjykatat që do të zbulojnë nëse ligji është shkelur, ose nëse është shkelur, se çfarë do të ndodhë më pas.


Ish-zv kryeministri i vendit, Arben Ahmetaj është aktualisht në kërkim ndërkombëtar. Ish-numrit dy të qeverisë i janë sekuestruar disa pasuri. Disa prej pronave dyshohet se janë vendosur nga raporti që ka pasur Ahmetaj me pronarët e inceneratorëve, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto. Vetë Ahmetaj i ka mohuar vazhdimisht akuzat, qoftë për dosjen e inceneratorëve, qoftë për privatizimin e ish-shoqërisë Buka. Në mars të vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ngriti akuzat për “fshehje dhe mos deklarim të pasurisë”, si dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” ndaj partneres së ish-zv kryeministri, Erjola Hoxhës.

Ndërkohë zv.kryeministrja Belinda Balluku u paraqit më 31 tetor në SPAK, ku iu komunikua akuza për shkeljen e barazisë në tenderat publikë, në lidhje me procedurën e ndjekur për shpalljen e kompanisë fituese në tunelin e Llogarasë. SPAK njoftoi se ministrja është marrë në hetim për njërën prej procedurave të prokurorimit për Tunelin e Llogarasë, konkretisht për aksin Orikum-Himarë, pjesë e autostradës (Vlorë-Sarandë), ku janë evidentuar shkelje në zhvillimin e procedurës së tenderimit për këtë aks. Sipas SPAK, bëhet fjalë për procedurën e zhvilluar më 11 dhjetor 2020, e cila më pas u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me një fond limit prej 190 mln euro pa TVSH, një nga më të kushtueshmit sot në vend./ZËRI

Poll

MOS HUMB