TIRANË- Këshilli Bashkiak i Tiranës do të mblidhet sot për të vendosur mbi shkarkimin e kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim që prej 10 shkurtit. Mbledhja e sotme shënon një nga momentet më të tensionuara në historikun e Bashkisë së Tiranës, ndërsa qytetarët presin vendimin për të ardhmen e kryebashkiakut.
Në takimin e sotëm anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”.
Veliaj i është drejtuar të hënën Këshillit Bashkiak me një letër zyrtare, duke kërkuar të marrë pjesë në mbledhje. Kryebashkiaku ka kërkuar që para se të merret vendimi për shkarkimin e tij, të dëgjohet në mbledhje, por ende nuk dihet nëse do të lejohet. Nga ana tjetër, Këshilli Bashkiak i është përgjigjur kërkesës së Veliajt, ku thuhet se në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund ti dorëzojë me shkrim.
Ndërkohë, SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve konfirmojnë se deri tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga Veliaj për leje të veçantë për të marrë pjesë në mbledhje. Sipas procedurave ligjore, për personat në paraburgim, prokurori i çështjes jep miratimin fillestar për lëvizje jashtë institucioni.
Por replikat mes kryebashkiakut Veliaj dhe Këshillit Bashkiak nuk mbarojnë me kaq. Menjëherë pas përgjigjes së Këshillit, ka ardhur edhe reagimi i Veliajt, i cili tha se ende s’është njoftuar zyrtarisht mbi rendin e mbledhjes së sotme, duke theksuar se Sekretari i Këshillit nuk mund të vendosë se si ai do ta bëjë komunikimin në mbledhje. Kryebashkiaku kërkon të votohet për praninë ose jo të tij në Këshill.
Që Veliaj të marrë pjesë, më parë duhet një autorizim nga Prokuroria e Posaçme SPAK. Kreu i Bashkisë në kërkesën drejtuar Këshillit Bashkiak, sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Si do të bëhet shkarkimi i Veliajt?
Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur:
a) kryen shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve;
b) dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata;
c) propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë.
Pika e fundit pritet që të jetë ajo që do të përdoret nga Këshilli Bashkiak për shkarkimin e Veliajt, që sërish do të duhet të çohet në kryeministri. Rama më pas duhet t’i propozojë presidentit mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, por ky proces mund të zgjasë deri në 45 ditë.
Sa i përket vendimmarrjes për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e kryebashkiakut, do të duhet të marrë votën e shumicës së të gjithë këshilltarëve, pra 31 pro nga 61 anëtarë gjithsej. Pas votimit, vendimmarrja i kalon Këshillit të Ministrave përmes Prefektit të Tiranës. Qeveria më pas vendos shkarkimin. Nëse Këshilli e Shkarkon dhe kryeministri Rama e firmos, ai ka të drejtë ta kundërshtojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Sipas ligjit, në rast se Veliaj e kundërshton Ramën pranë kësaj gjykate, procesi duhet të pezullohet dhe zgjedhjet për zëvendësimin e tij, të mos zhvillohen.
Kujtojmë se në Asamblenë e PS-së, rreth një javë më parë, kryeministri Rama kërkoi nga Këshilli Bashkiak nisjen e procedurës për largimin e Veliajt, duke bërë të ditur se Ogerta Manastirliu do të jetë kandidatja e socialistëve në zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e metropolit shqiptar.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg që prej datës 10 Shkurt të këtij viti. Kryebashkiaku së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI