
TIRANË- Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi tha se ajo prej 7 muajsh i ka ndërprerë komunikimet me Ilir Metën. Në një konferencë për mediat, Kryemadhi tha se të vetmin komunikim e kanë pasur për divorcin. Por si duket arrestimi i Metës ka shtuar konfliktin e tyre familjar, madje shtoi se edhe po të donte që të shkonte dhe ta vizitonte në burg, ishte e bindur se ai nuk do ta pranonte.
“Komunikimi im me Ilir Metën është prej 7 muajsh 0. Për këtë çështje do të punojmë të ndarë sepse ai ka objektivat e veta dhe shumë mirë bën. Di të them që në parantezë që masa e arrestit për Ilir Metën është një masë arresti për të shtuar me tej konfliktin familjar tonin. Për gjëra që dyshojnë tek unë, duan t'ja vendosin Ilir Metës që nuk kanë lidhje fare. Edhe sikur të dua unë ta vizitoj në burg, nuk pranon ai. Nuk ka arrestim më të madh se arrestim shpirtëror. Nuk ia uroj askujt konfliktin familjar që kam unë. Nuk jemi marrë me shkesi. Jemi dashur shumë, kemi ecur përdore 33 vjet dhe dëshira ime për të luftuar korrupsionin dhe inceneratorin e Tiranës mesa duket çoi për të paguar një faturë shumë të madhe të shkatërimit të familjes time që ka lidhje me familjen time dhe asnjë tjetër”, tha Kryemadhi.
Ditën e djeshme Policia e Shtetit arrestoi ish-presidentin e vendit Ilir Metën, pasi ai akuzohet nga SPAK për veprat penale: korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurish. Por Meta nuk është i vetmi që ka rënë në rrjetën e SPAK, pasi kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e Endrit Brahimllarit, në “arrest shtëpie” është caktuar Pirro Xhixho (babai i Erisa Xhixhos), ndërsa Monika Kryemadhi dhe Ema Çoku janë lënë në “detyrim paraqitje”./ZËRI