
TIRANË- Fushata zgjedhore në Shqipëri u mbyll dhe nesër votohet, por përpos programeve dhe thirrjeve për vota, figurat politike u karakterizuan edhe me stilet e tyre në veshje apo me mënyrën e komunikimit se si ju drejtuan njëri-tjetrit. Një fushatë, me figura politike jo vetëm në garë për të qenë fitues por edhe në atë të imazhit. Ndryshe nga fushatat e tjera, retorika politike në Shqipëri ka treguar një larmi epitetesh që vihen në përdorim nga udhëheqësit e partive politike. Por le ti shohim me radhë çfarë na ‘ofruan’ politikanët në një muaj fushatë?
Politikanët në kornizën e veshjes!
Kryeministri Edi Rama vendosi të prezantohej gjatë takimeve elektorale me një pamje të thjeshtë sportive. Ngjyra e zezë dominon në paraqitjet e Ramës, shoqëruar me atletet e bardha sportive, të personalizuara me numrin 5, numri që mban Partia Socialiste në fletën e votimit. Bluza e zezë me yllin pesëcepësh të stampuar me konturet blu (ngjyra simbol e BE-së) e më tej me ngjyrat kuq e zi (simbolet kombëtare), ndërsa numri 5, nuk mungoi në kapelen sportive që ai mbajti gjatë takimeve në disa qytete. Një aksesor tjetër ishin edhe syzet e diellit me skelet rozë, të kombinuara me veshjen e zezë sportive.
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste përgjithësisht ndoqën stilin e kreut të qeverisë, duke u paraqitur me bluzën e bardhë me në qendër, yllin e stampuar, simbol të BE-së. Por gjithashtu nuk mungoi numri “5” i shndërruar në simbolika të ndryshme, por me të njëjtin mesazh: Na votoni ne!
Ndryshe nga Partia Socialiste, ajo demokratike qëndroi kryesisht në linjën “serioze”. Kreu i PD-së, Sali Berisha u prezantua me kostum dhe këmishë, por kësaj radhe shtoi edhe një kapele blu me numrin 1, numri rendor i ‘Aleancës për Shqipërinë Madhështore’ në fletën e votimit. Në disa takime Berisha u shfaq më sport, me jelek në vend të xhaketës, apo atlete në vend të këpucëve serioze, duke na dhënë një portret ndryshe të vetes. Madje ndonjëherë, gjatë takimeve, njëjtë si Rama edhe Berisha riktheu syzet e diellit me stilin ‘aviator’.
Edhe pse nuk ka preferuar që të dalë nga korniza e tij, Berisha i është dorëzuar hera-herës edhe “shijes” së demokratëve. Në disa nga takimet elektorale, si psh. në Krujë, artizanët i dhuruan dhe i veshën Berishës një xhamadan dhe një qeleshe, pjesë të trashëgimisë së pasur të veshjeve tradicionale shqiptare. Edhe gjatë një takimi elektoral në Mirditë, Berisha në vend të kapeles me numrin 1, u shfaq me një plis në kokë. Në këto raste, Berisha i ka lënë dorë të lirë mbështetësve që ta “stilojnë”.
Por jo vetëm veshje e aksesorë tradicionalë, kreydemokrati befasoi nga takimimi në Bulqizë, lu u shfaq me kapelen e minatorit.
Por pse nuk e shohim gjithë kohës Berishën me kostum? Arsyen e ndryshimit të stilit në veshje, Berisha ia la kushteve të motit.
“Me këtë ndryshim klimatik, m’u imponua sportiviteti. Natyra është forcë madhore!”
Fushatë me këngë, valle, iso e poezi
Partia Socialiste nisi me një tubim të madh në Sheshin ‘Skënderbej”, me këngë e valle nga grupe kërcimtarësh dhe artistësh të cilët u binin daulleve. Ekipet e qyteteve u prezantuan duke performuar me këngë tradicionale të zonës që përfaqësojnë.
Ndryshe nga PS, Partia Demokratike paraqiti një nisje “alla Trum”, me fjalime politike nga kandidatët për deputet. Në sfond luhej “Eye of the tiger”, një lajmmotiv që Berisha e përdor prej kohësh, që në kohën e “Foltores” kur luftonte për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Por trendit të popullores nuk i shpëtoi as Sali Berisha. Kryedemokrati u prit me iso në Sarandë, por edhe me poezi në Belsh.
Isot shoqëruan edhe kryeministrin Edi Rama. Edhe së fundmi, kreu i qeverisë u prit me këngë polifonike dhe raki nga banorët e Kuçit.
‘Beteja’ me epitete
Ndryshe nga fushatat e kaluara elektorale, drejtuesit e Partive Politike në daljet e shpeshta publike i shoqëronte dhe një ‘buf’ në tavolinë, por jo vetëm.
“Bufi i kënetës”, ky ka qenë togfjalëshi që nuk ka munguar në fjalorin e kryeministrit Edi Rama duke iu referuar në këtë mënyrë kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas Ramës, këneta nuk është bullizim, por metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita sipas tij është 'kënetë' dhe 'ujë i ndenjur'. Gjatë takimeve elektorale,
Kreu i PD nuk e ka lënë pa një epitet kryministrin dhe i është referuar për herë të parë Ramës me termin “zogu sqep këpucë”. Sipas kreut të PD-së, ky zog ka aftësinë të hajë zogjtë e tij, duke iu referuar “të besuarve” të kabinetit të kryeministrit që kanë përfunduar pas hekurave të qelisë. Por as kjo nuk e ka ndaluar Ramën që në çdo mundësi që i jepet t’i referohet si “buf”. Në bashkëbisedimin në rubrikën sy më sy, Rama ka mbajtur në tavolinë krah vetes një buf ngjyrë gold. Në përgjigje të Ramës, Berisha prezantoi në një nga konferencat për shtyp një skulpturë të një bufi të bardhë, të cilin vendosi ta mbante në tavolinë. Bufi i ndoqi edhe në fushatat elektorale në qytete, ku Rama në Vlorë e mori si dhuratë, ndërsa Berishës iu ofrua një nga një shitëse një skulpturë me formën e bufit.
Për të demontuar fushatën negative që Rama po i bënte, Berisha iu rikthye mitologjisë duke e cilësuar shpendin si një simbol të mençurisë dhe të dijes.
“Më ka quajtur mua buf, por ai nuk e di se më ka dhënë epërsi të jashtëzakonshme. Ju premtoj se do përdor gjithë mençurinë time për ta përzënë më 11 maj,”- tha Berisha.
Kështu, bufi u kthye në një simbol fushate, ku edhe këshilltari i fushatës së Sali Berishës, Chris LaCivita, nuk i shpëtoi dot përdorimit të tij. Si një sinjal për Ramën që nuk e ka kursyer as atë në sulmet e fushatës, në disa raste publikoi video të një bufi që ha një mi. Nëse për Ramën, LaCivita është “Latifi nga Amerika”, për kryestrategun e fushatës së Trump, Rama është miu që ushqen bufin.
Në thelb, edhe kjo fushatë zgjedhore u dominua nga shkëmbimet e sulmeve dhe akuzave politike, ku nuk munguan tonet fyese e denigruese ndaj kundërshtarit. Edhe kësaj herë, në asnjë studio nuk kishte përballje mes kundërshtarëve dhe përplasje programesh, por batuta, thirrje, ofendime dhe pak muzikë rep. Se sa kanë bindur politikanët me retorikën e tyre, do ta mësojmë më 12 maj./ZËRI