
TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në orën 10:00 në një seancë plenare që pritet të mos jetë normale për shkak të përjashtimit të 24 deputetëve të Partisë Demokratike dhe aksionit që opozita ka nisur pas dënimit me 1 vit burg të deputetit të PD-së Ervin Salianji.
Po ashtu, dje pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për ta penguar zhvillimin normal të seancave plenare.
“Sa i takon seancës së nesërme, grupi parlamentar ka vendosur të bëjë gjithçka për të mos lejuar normalitet në seancën e nesërme. Strategjitë se çfarë do bëjmë do t’i mësoni aty, mos prisni detaje, pjesa dërrmuese e reagimeve tona janë spontante të diktuuara nga sjelljet e mazhorancës”, deklaroi dje Gazment Bardhi.
Ndërsa PS nga ana e saj është shprehur se do të vijojë aktivitetin plenar sipas axhendës së caktuar. Gjithashtu sot do të hyj në fuqi vendimi i Sekretariatit të Etikës që vendosi përjashtimin e 24 deputetëve të PD-së nga seancat plenare, për shkak të dhunës dhe kaosit të ndodhur në Kuvend gjatë seancës plenare më 30 shtator.
“1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 30.9.2024.
2. Njoftime.
3. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë mbi bashkëpunimin teknik 2022 për projektin "Programi për një zhvillim urban rezistent ndaj ndryshimeve klimatike në Shqipëri
4. Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", i ndryshuar, raundi i dytë.
5. Projektvendimi "Për zgjedhjen e anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga radhët e përfaqësuesve të shoqërisë civile sipas ligjit nr. 115/2016 "Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë", i ndryshuar, raundi i dytë.
6. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës”, thuhet në rendin e ditës.
Pas arrestimit të deputetit Ervin Salianji, opozita nisi aksionin kundër maxhorancës, duke paralajmëruar protestë (e cila do mbahet në datë 8 tetor) dhe mosbindje civile. Por aksioni nisi të hënën nga Kuvend me opozitën që shkaktoi kaos e tensione, duke bllokuar fillimisht Foltoren. Pas kësaj, deputetët e opozitës dolën jashtë sallës së Kuvendit, duke nxjerrë në oborr edhe të gjitha karriget e tyre, të cilave iu vendosën flakën. Deputeti Flamur Noka shkuli një nga mikrofonat në Kuvend dhe ky veprim e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca. Noka paralajmëroi se e njëjta situatë do të jetë në çdo seancë plenare. Por tashmë, si Noka e Bardhi, edhe 22 deputetët e tjerë janë të përjashtuar. Dënimin më të ulët e ka Edi Paloka, me 10 ditë përjashtim. Përveç kësaj mase, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha ka dërguar emrat e deputetëve në SPAK, ku i akuzojnë për disa vepra penale. /ZËRI